Zbuloni se cili është armiku i thonjëve

  • 24 February 2018 - 10:49
Zbuloni se cili është armiku i thonjëve

 

Nëse do t’i lani duart disa herë në ditë do të shikoni që thonjtë tuaj janë tharë dhe problemet do të vijnë duke u shtuar. Edhe përdorimi i acetonit apo pastruesve të tjerë me elemnetë kimik në mënyrë të vazhdueshme sjell efekte negative ne shëndetin e thonjëve. Dermatologia, Ardiana Sinani këshillon që të përdorni sa më shumë kremëra hidratues për të patur gishta të bukur dhe shumë elegante.

Cilat janë patologjitë më të shpeshta të thonjëve?

Shtresëzimi i thoit – Shpesh pjesa e përparme e thoit ndahet në disa shtresa horizontale e quajtur Onychoshisis. Shkaku kryesor është tharja, humbja e lagështirës së thoit, që vjen si rezultat i larjes së shpeshtë të duarve. Në këtë rast thoi humb ujë dhe ndahet në shtresa. Përdorimi i pastruesve kimik të thonjve (si açetoni) në mënyrë të tepruar e agravon gjendjen. Terapia është përdorimi i kremrave hidratues me përmbajte ureje, disa herë në ditë dhe mbas çdo larje të duarve. Kjo është parë që çon në përmirësim.

Onycholisis - është ndarja e dhimbshme e thoit nga shtrati i tij. Trauma e vogël e përsëritshme mund të jetë shkaku i saj. Shfaqja më e shpeshtë klinike është onycholisis në formë gjysmë hëne. Ndodh kur thoi ekspozohet ndaj larjes së shpeshtë të duarve dhe mbjatjes së tyre për një kohë të gjatë në ujë, si në rastin e pjatalarësve, kuzhinierëve, grave shtëpiake etj. Pjesa e lirë e thoit lejon futjen e ujit në brendësi të tij nëpërmjet kanaleve të formuar dhe realizohet në këtë mënyrë ndarja e koracës nga shtrati i tij. Trajtimi edhe në këtë rast ka të bëjë me përdorimin e kremrave hidratues dhe eleminimi i traumës së përsëritshme të thonjëve, si larja pa kriter e duarve apo mbajtja e tyre në ujë për një kohë të gjatë. Në rastin kur kjo patologji ka ardhur nga infeksionet mykotike duhet trajtuar infeksioni mykotik dhe lidhur me këtë duhet të drejtoheni te mjeku Dermatolog.

Përse ndodhin ndryshime në ngjyrën e thoit?

Kur ngjyra e thoit ndryshon nga ajo normale, ndryshimet që kanë sjellë këtë çrregullim të ngjyrës mund të jenë në sipërfaqe të tij, brenda tij ose nën të. Ndryshimi më i shpeshtë i ngjyrës ndodh nga infektimi i thoit me pseudomonas aeruginosa, një bakter që pas infektimi i jep ngjyrë jeshile thoit dhe ndodh shpesh tek personat që përdorin shume ujin dhe mbajtjen e duarve në ujë siç përmendëm, pjatalarësit, banakieret, kuzhinieret etj. Trajtimi në këtë rast mbas vendosjes së saktë të diagnozës është mbajtja e thonjëve të sëmurë në acid acetik (uthull) për 5 minuta në ditë për 2 javë rresht dhe përdorimi i pomadave me antibiotik.

Nga vjen infeksionet mykotik i thoit? 

Më shpesh infeksioni mykotik i thonjëve vjen nga infeksioni mykotik i lëkurës rreth thoit. Trajtimi i hershëm i mykut të lëkurës parandalon dhe mykun e thonjëve i cili është një sfidë për t’u trajtur për shkak të kohës së gjatë të medikamenteve antimykotike që duhen përdorur dhe efekteve të tyre anësore për shkak të këtij përdorimi të gjatë.

Kur ndodh trauma e thoit? 

Dëmtimet e vazhdueshme ndaj sipërfaqes së thonjëve në drejtim të shtratit të thoit shkaktojnë hemoragji subunguale (nën thua) ose hematoma të thoit. Hematoma Subunguale e thoit në fillim është e kuqe dhe më pas me ngjyra, ndryshon në blu dhe më pas në të zezë. Shpesh shoqërohet me enjtje të gishtit të dëmtuar, skuqje dhe dhimbje të tij. Në rast se pacienti nuk e di se kush e ka shkaktuar ngjyrimin e thoit të tij dhe kjo hematomë ka kohë që është shfaqur atëherë duhet diferencuar me melanomën malinje. Çarja e koracës së thoit me një shiring sterile të nxehtë çon në pakësimin e dhimbjes dhe presionit.

Si kurohet ekzema e thonjëve? 

Ekzema kronike e duarve dhe e këmbëve mund të çoj në dëmtime të thonjëve. Sa më shpesh dhe sa më shpejt të dëmtohet cutikula dhe buzët laterale të thonjëve, kjo çon në çarjen, thyerjen dhe trashjen e thonjëve. Disa autorë këtë e kanë quajtur dhe eczema e thonjëve. Sa më shpejt dhe mirë të kurohet eczema me pomadë me bazë kortizoni aq më shpejt do të fillojnë dhe përmirësimet e thonjëve.

Po përdorimi i thonjëve me xhel përbën rrezik? 

Përsa i përket përdorimit të manikyrit apo thonjëve artificial (me xhel) përdorimi i tyre nuk duhet të jetë pa kriter dhe i përsëritur shpesh. Mbas çdo aplikimi të tillë duhet të përdorim vazhdimisht kremera hidratues dhe kremra xhel me përmbajtje vitaminash dhe acidi hialurinik që aplikohen në sipërfaqen e thoit. Pas heqjes së thonjëve artificial duhet t’i lëmë kohë thonjëve tanë për një rigjenerim përpara se të bëjmë një aplikim tjetër me xhel. Kremrat me acid hialurimik janë më të mirët për rigjenerimin e thonëjve.

(Kosova Sot)