Perdja e syrit, sëmundja që nuk shërohet me medikamente

  • 17 June 2018 - 13:43
Perdja e syrit, sëmundja që nuk shërohet me medikamente

Katarakti është mjegullimi i lentes natyrore së syrit. Nga momenti që lentja e syrit fillon të mjegullohet në mënyrë progresive lejon gjithnjë dhe më pak dritë që të kalojë në pjesën e brendshme të syrit dhe kështu reduktohet vizioni në distancë të largët dhe të afërt. Aida Zani mjeke okuliste shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” gjithçka rreth këtij problemi okulistik. Pas moshës 60 vjeç, pothuajse të gjithë njerëzit kanë një katarakt fillestar.

Është një proces deri diku fiziologjik i oksidimit. Oksidohen proteinat që përbëjnë trupin qelqor dhe ai nga transparent zbardhet. E pyetur nëse mund të marrin kemp personat që vuajnë nga katarakti doktoresha përgjigjet se nuk mund të marrin sepse katarakti është një problem që korrigjohet. Zgjidhet në mënyrë absolute. Katarakti shkakton një problem anatomik që është totalisht i korrigjueshëm. Vendoset lente artificiale që bën të gjithë punën e lentes natyrale. Kjo i rikthen pacientit shikimin 100%. Kemp përfitojnë ata që kanë dëmtime të pakthyeshme, si glaukoma. Janë diagnoza të mirëditura ato që japin një verbëri të pakthyeshme.

Çfarë është katarakti?

Katarakti, perdja e syrit, është një sëmundje e cila prek një pjesë të konsiderueshme të moshës së tretë. Ajo konsiston në trashjen progresive të lentes së syrit dhe është një nga shkaqet kryesore të humbjes së pamjes në botë. Një pacient me katarakt paraqet ulje graduale të shikimit si dhe ulje të sensivitetit të kontrastit të ngjyrave, një shkallë të lehtë miopie, diplopi monoculare. Diagnostikimi arrihet nëpërmjet testit të pamjes për larg dhe afër e cila konfirmohet nga ekzaminimi në mikroskop. Aplikohet një pikë në sy për të zgjeruar syrin dhe për të parë çfarë lloj katarakti është. Katarakti është një sëmundje e cila korrigjohet vetëm me kirurgji, e cila konsiston në heqjen e lensit dhe zëvendësimin me lente artificial. Nuk ekzistojnë medikamente të cilat ndalojnë avancimin e kataraktit apo zgjidhjen e tij. Nga studimet amerikane të 2004 rezultojnë 20 milionë mbi 40 vjeç me katarakt në njërin sy dhe 5 milionë e popullsisë është operuar nga katarakti. Shkaktarët e kataraktit janë të lidhur me: Moshën; sëmundjet sistemike si p.sh. diabeti, sëmundjet e zemrës, alergjitë, pneumonitë etj.; dieta hiperkalorike; Përdorimi i medikamenteve si p.sh. kortizoni; Zhvillim i vonshëm mendor dhe ekspozimi ndaj rrezeve UV.

Cilat janë metodat bashkëkohore të trajtimit të perdes së syrit?

Operacioni kryhet me një aparaturë, e cila quhet phakoemulsifikim dhe konsiston në heqjen e lensit të opacifikuar dhe zëvendësimin e tij me një lente artificiale. Shikimi rikthehet 100% nëse nuk ka dëmtime në pjesën posteriore të syrit. Ndërhyrja kirurgjikale zgjat rreth 15 min dhe ka shërim të shpejtë postoperator sepse është një ndërhyrje miniinvazive. Perdja e syrit mund të korrigjohet vetëm me kirurgji jo me medikamente. Pacientët me katarakt nuk mund të përfitojnë KEMP sepse nëpërmjet kirurgjisë shikimi kthehet deri në 100 %. Personat që përfitojnë KEMP kanë sëmundje të cilat shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme të pjesëve të syrit si glaucoma, retinopati diabetike, etj. Prek vetëm moshën 65 e lart dhe nuk mund të prekë një moshë më të re. Katarakti është i formave të ndryshme. Katarakti për të cilin po flasim është katarakt senil i cili prek kryesisht moshën e tretë por eksistojnë dhe llojet e tjera si p.sh. katarakti congenital- i lindur , në përgjithsi kur është i lindur është i shoqëruar me sindroma të tjera. Katarakti juvenil, moshat e reja, katarakti traumatik, qelqi i syrit-lensi është një strukturë shumë delikate dhe një goditje e lehtë mund të prishë strukturën e tij duke oksiduar proteinat që përbëjnë fibrat e lensit që çojnë në opacifikim të tij dmth në shfaqjen e kataraktit.

A është katarakti i trashëgueshëm?

Jo katarakti nuk është një sëmundje e trashëgueshme. Sa ndikojnë problemet me diabetin në zhvillimin e kataraktit? Diabeti, duke qenë se është një sëmundje e cila ka prekje pothuajse të gjithe organeve në organizëm favorizon dhe zhvillimin më të shpejtë të kataraktit.

Sa e shpeshtë është në popullatë?

Në klinikën tonë, në Qendrën Spitalore Universitare Nene Tereza katarakti është një diagnozë shumë e shpeshtë, por statistika të mirëfillta në lidhje me incidencën nuk ka.

A mund të rikthehet nëse trajtohet një herë?

Kjo lloj sëmundje nuk mund të rikthehet sepse hiqet lensi natyral dhe zëvendësohet me lente artificiale. I vetmi problem është opacifikimi i kapsulës që mban lenten i cili tek moshat e reja ndodh më herët ndërsa tek moshat e vjetra më vonë dhe çon në mjegullimin e pamjes. Ky problem mund të zgjidhet nëpërmjet goditjes së kapsulës me lazer.

Qëndrimi për një kohë të gjatë përpara televizorit, kompjuterit a mund të jetë shkak për zhvillim të kataraktit në moshë të re?

Nuk ka studime të cilat gjejnë një lidhje midis ekspozimit ndaj rrezeve të televizorit dhe zhvillimit të kataraktit në moshë të re. Këshillohet përdorimi i syzeve me filtër mbrojtës. Nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me dietën ushqimore, por si çdo patologji tjetër kërkon një dietë e shëndetshme.

(Kosova Sot)