3 shenja në këmbë që mund të sinjalizojnë për një problem të rëndë shëndetësor

  • 24 September 2018 - 08:47
3 shenja në këmbë që mund të sinjalizojnë për një problem të rëndë shëndetësor

Pavarësisht sa kujdeseni për pamjen e jashtme të këmbëve, shanset janë që ju mos t’ju kushtoni aq shumë vëmendje atyre. E dinit që këmbët në fakt mund të zbulojnë shumë gjëra në lidhje me shëndetin?

Nëse i hidhni një sy shputës dhe gishtave, mund të vëreni disa tregues të problemeve jo vetëm me këmbët. Nëse vëreni një ndryshim në këmbë, që e konsideronit normale në të kaluarën, është mirë të konsultoheni me një mjek. Kështu, kur të hiqni këpucët dhe çorapet në fund të ditës, hidhuni një sy këmbëve. Këto janë 3 gjërat e çuditshme që këmbët mund të zbulojnë për shëndetin tuaj.

Mpirje të gishtave të këmbëve

Ju janë mpirë ndonjëherë gishtat e këmbëve? Ose pasi keni hequr këpucët e borës në dimër, keni vërejtur që gishtat janë bërë krejtësisht të bardhë? (Ose më keq, ngjyrë vjollcë?!) Në këtë rast ekziston mundësia që të keni edhe një problem me qarkullimin e gjakut. Për shembull, shumë gra kanë sindromën Reynaud, një sëmundje që shkakton mpirje të pjesëve të caktuara të trupit (kryesisht të këmbëve dhe duarve) dhe këto të fundit iu qëndrojnë gjithmonë të ftohta.

Nëse keni këtë gjendje ose ndonjë problem tjetër me qarkullimin e gjakut, nuk është gjë për t’u shqetësuar. Megjithatë, edhe nëse bëni një vizitë tek mjeku, nuk do të bënit keq. Nëse keni sindromën Reynaud, mjeku mund t’ju japë disa këshilla, si për shembull të vishni doreza dhe çorape të trasha në dimër, pasi rrezikoheni nga morthi.

Ndjesi shpimi si me gjilpërë në këmbë

Nëse ndieni vazhdimisht sikur po jua shpojnë këmbën me gjilpërë, mund të jetë shenjë e diabetit. Shpesh janë mjekët specialistë të këmbëve ata që mund të zbulojnë të parët nëse një person vuan nga diabeti.

Ky i fundit mund të shkojë tek mjeku me ankesën që i mpihen këmbët ose ka një ndjesi si djegie apo shpimi me gjilpërë, pa e ditur se këto në fakt janë simptoma të mundshme të neuropatisë periferike (dëmtim të ekstremeve të nervave) dhe shkaktari më i zakonshëm i kësaj neuropatie është diabeti.

Thonj të brishtë, që thyhen shpejtë

Thonjtë e gishtave të këmbëve mund të jenë gjithashtu një tregues i problemeve shëndetësore. Mjekët mund të zbulojnë nëse keni mungesë të vitaminave thjesht duke ju parë thonjtë. Nëse një person është anemik, për shembull, mund të ketë thonj shumë të brishtë, që thyhen shpejtë.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?

Nëse vëreni ndonjë ndryshim të çuditshëm në këmbë, mund të jetë ndoshta një shenjë që duhet të lini një takim me mjekun specialist të këmbëve. Ai pastaj mund t’ju referojë tek një mjek tjetër specialist, në varësi të problemit që ai dyshon se mund të keni.

(Kosova Sot)