Si mund ta përdorni dafinën për çështje shëndetësore?

  • 19 October 2018 - 15:31
Si mund ta përdorni dafinën për çështje shëndetësore?

Dafina është bimë e njohur aromatike si erëz, por edhe si bimë shëruese. Pjesa më popullore e bimës është gjethi i saj, i cili përdoret për veti të shumta shëruese

DAFINA SI ERËZ

Dikur gjethja e dafinës është përdorur më shpesh se sot. Gjethen e dafinës mund ta shtoni në salcë, përzierje të ndryshme, trangujve turshi, lakrave turshi,specave, në kungulleshkë apo panxhar. Aroma dhe shija e dafinës i përshtatet mirë gjellëve, prandaj është e vështirë ta mendosh një gjellë pa shtuar dafinën. Pos shijes, dafina e ndihmon edhe tretjen.

VAJI I DAFINËS

Vaji i dafinës aplikohet zakonisht për problemet e jashtme. Është shumë e mirë për masazh, prandaj edhe përdoret për zbutjen e të thatit nën lëkurë e po ashtu shëron edhe të djegurat sipërfaqësore në lëkurë, relakson muskujt dhe nyjat si dhe reumatizmin.

KREM KUNDËR REUMATIZMIT

Për të përgatitur kremin kundër reumatizmin nevojitet të shtypni 20 gramë kokrra të dafinës. Pastaj duhet t'i zieni për 15 minuta në një litër ujë. Lëngun e fituar nevojitet ta kulloni dhe ta lini të ftohet. Nga sipërfaqja merrni vajin e dafinës dhe e përzieni me një lugë dhjam derri. Ky krem ndihmon te reumatizmi si dhe te dhimbjet në muskuj dhe nyja.

ÇAJ KUNDËR GRIPIT DHE FTOHJES

Tri gjethe të imtësuara të dafinës i zieni për 10 minuta në dy decilitra e gjysmë ujë. Lëngun e lini të mbuluar për rreth 10 minuta. E procedoni dhe ia shtoni edhe një lugë lëng limoni dhe dy lugë mjaltë. Te gripi dhe bronkiti e pini dy deri tre herë nga 2,5 dl.

TINKTURË NGA GJETHJA E DAFINËS

Imët copëtoni 30 gr gjethe të freskëta të dafinës dhe e vendosni në kavanoz dhe ia shtoni tri decilitra raki. E mbani të mbyllur për 10 ditë në vend të ngrohtë, e më pas e kulloni. Ky ilaç shëron ënjtjet, dhimbjet në muskuj, reumën dhe nyjat me dhimbje.

 

(Kosova Sot)