Shenjat më të shpeshta të arterieve të mbyllura

  • 04 October 2015 - 16:11
Shenjat më të shpeshta të arterieve të mbyllura

Mbyllja e arterieve është shumë e rrezikshme, meqë mund të shkaktojë infarkt të zemrës, trurit, apo vdekje të indeve të ndryshme të organizmit. Ekzistojnë disa shenja dhe simptoma që paraqiten, kur ndonjë arterie  fillon të mbyllet. Ja disa prej tyre

1. Angjina (dhembja e gjoksit)

Angjina, ose dhembja e gjoksit, e shkaktuar nga zvogëlimi i qarkullimit të gjakut në zemër, është shenjë e mundshme e fillimit të mbylljes së arteries. Kjo dhembje e gjoksit shoqërohet me ndjenjën e shtrëngimit, rëndësisë dhe presionit prapa ashtit të gjoksit. Zakonisht paraqitet në raste emocionale, apo gjatë aktivitetit të rëndë fizik. Por, nuk është çdo dhembje e gjoksit angjinë.

Image

2. Zënia e frymës

Zënia e frymës, respektivisht pengesat në frymëmarrjen normale, po ashtu, mund të jetë shenjë e arteries, që ka filluar të mbyllet, prandaj zemra nuk mund të pompojë mjaft gjak për t’i plotësuar nevojat e organizmit. Një studim i bërë në vitin 2005 në Qendrën mjekësore “Cedars-Sinai” ka treguar se pacientët me zënie të frymës kanë një rrezik më të lartë nga vdekja nga sëmundjet e zemrës, sesa pacientët pa këtë gjendje, bile edhe më të rrezikuar sesa pacientët me dhembje të gjoksit. Por, edhe zënia e frymës mund të ketë shkaktarë të ndryshëm. Mjeku ju ndihmon në vënien e diagnozës së saktë.

Image

3. Dobësia, apo marramendja

Marramendja, ndjenja e papritur e dobësisë, është një shenjë tjetër e arteries që ka filluar të mbyllet dhe shenjë e një sulmi të mundshëm në tru. Të njëjtën domethënie e kanë edhe vështirësia në të ecur, në koordinim, si dhe rrëzimet e pashpjegueshme. Në raste të tilla kemi grumbullim të dhjamit në murin e arterieve karotide, të cilat e ushqejnë trurin me gjak.

Por, edhe kjo simptomë mund të ketë shkaktarë të tjerë, sikur që është shtypja e ulët e gjakut, pastaj problemet neurologjike, anemia, hipoglikemia, etj.

Image

4. Të rrahurat e theksuara të zemrës

Kur të paraqiten të rrahurat e theksuara të zemrës, mund ta keni përshtypjen se zemra juaj është duke kalëruar. Njerëzit shpesh e përjetojnë këtë gjatë ushtrimeve, stresit dhe pas konsumimit të kafeinës, apo nikotinës. Por, te disa njerëz kjo është simptomë e arterieve të bllokuara që e furnizojnë zemrën me gjak. Edhe në këtë rast është mjeku ai që e vë diagnozën e saktë.

Image

5. Problemet me tretje, nauzea, vjellja

Mbyllja e arterieve, që shkakton sëmundje të zemrës, mund të shkaktojë edhe simptoma të tjera, sikur që janë problemet me tretje, nauzeja, vjellja, fryrja, apo problemet e tjera të lukthit dhe zorrëve për shkak të mungesës së oksigjenit në gjak dhe për shkak të qarkullimit joadekuat. Njerëzve, të cilëve u bllokohen arteriet e veshkave, po ashtu mund të kenë probleme të këtilla.

Image

6. Dhembja e këmbëve dhe pulpës

Nëse keni dhembje të madhe të këmbëve, apo keni telashe kur ecni në distanca të gjata, atëherë kjo mund të jetë shenjë se në arteriet tuaja që i furnizojnë këmbët me gjak, mund të ketë filluar shtresimi i dhjamit, respektivisht mbyllja e tyre.

Por, një dhembje e butë në këmbë mund të jetë shenjë e spazmës së muskulit, lodhjes, dehidrimit, apo qëndrimit në këmbë për një kohë të gjatë.

Image

(Kosova Sot)