Mundeni mbipeshën duke e goditur lehtë veten në fytyrë!

  • 27 November 2015 - 18:10
Mundeni mbipeshën duke e goditur lehtë veten në fytyrë!

Një studim, i cili është bërë së voni, ka përfshirë 89 femra dhe ka treguar që femrat, të cilat u kanë bërë masazh këtyre pjesëve të fytyrës për 15 minuta në ditë, kanë humbur mesatarisht nga shtatë kilogramë brenda tetë javëve, pa iu nënshtruar ndonjë diete rigoroze

Fillimi i dietës është një gjë shumë e lehtë, mirëpo përmbajtja e saj është një gjë shumë e vështirë. Shumë femra i përkushtohen dietës së tyre përreth dy javë, mirëpo më pas fillojnë të hanë shumë ushqim dhe i fitojnë kilogramët e humbur. Ekspertët thonë që rreziku më i madh në shtimin e kilogramëve është të ushqyerit kur jeni të mërzitur, të stresuar, pasi që kur jeni të kontrolluara nga këto emocione hani pa kontroll, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

 Zvogëlimi i nivelit të stresit

Sipas një libri të ri, ‘Tapping For Weight Loss’, zgjidhja revolucionare gjendet në majat e gishtërinjve tanë. Kjo lloj teknike përfshin përgatitjen mentale të njerëzve, duke ua shuar dëshirën për të ngrënë çdo ushqim që iu del përpara. Në këtë mënyrë ju jo vetëm që humbni peshë shpejt, mirëpo edhe arrini ta mbani peshën e arritur përgjithmonë.

Çuditërisht, autorja e këtij libri, Jessica Ortner, pretendon që e tëra që ju nevojitet është të goditni lehtë pjesë specifike të fytyrës suaj me maja të gishtërinjve dhe dëshira për të ngrënë do të zhduket.

Kjo teknikë është e njohur si njëra ndër teknikat më të përdorura për ta zvogëluar nivelin e stresit. Ndonëse mund të duket e çuditshme, ekspertët thonë që disa pjesë të fytyrës si balli dhe mjekra janë pjesët të cilave iu bëjmë masazh sa herë që jemi të stresuar. Sipas një studimi të bërë nga Shkolla e Mjekësisë së Harvardit stimulimi i këtyre pjesëve zvogëlon aktivitetin e amigdalas, pjesa e trurit e cila kontrollon prodhimin e hormoneve të stresit, të cilat janë të lidhura ngushtë me ngritjen e oreksit dhe nevojës për konsumimin e sheqerit.

Masazhimi i këtyre pjesëve zvogëlon nivelin e kortizolit, hormoneve të stresit dhe zvogëlon dëshirën për ushqim.

Një studim i cili është bërë së voni ka përfshirë 89 femra dhe ka treguar që femrat, të cilat u kanë bërë masazh këtyre pjesëve të fytyrës për 15 minuta në ditë, kanë humbur mesatarisht nga shtatë kilogramë brenda tetë javëve, pa iu nënshtruar ndonjë diete rigoroze.

Më poshtë kemi treguar sesi masazhimi i këtyre pjesëve bën mrekullinë në largimin e oreksit dhe bashkë me të largimin e kilogramëve të tepërt.

Image

 Si funksionon kjo teknikë?

Të gjitha femrat, të cilat tentojnë që të humbin peshë, mundohen t’u largohen ushqimeve të cilat janë të dëmshme për organizmin e tyre, siç janë ushqimet e shpejta dhe ato të konservuara. Megjithatë, në disa raste, truri dhe trupi nuk arrijnë të koordinohen mirë më njëri-tjetrin, duke bërë kështu që shumë shpesh të ballafaqohen me nevojën për të ngrënë një ushqim i cili përmban shumë kalori. Masazhimi i pjesëve specifike krijon një urë në mes trupit dhe trurit, duke dërguar sinjale qetësuese në tru. Kjo gjë ndihmon në largimin e nevojës për të ngrënë, e cila shumicën e rasteve është pjellë e trurit. Nëse jeni duke iu përmbajtur ndonjë diete, masazhimi, apo trokitja e lehtë e pjesëve specifike të fytyrës, ju ndihmon që t’i përmbaheni dietës suaj, ndërsa nëse jeni duke u munduar që të ushqeheni me ushqime të shëndetshme kjo teknikë ju ndihmon që të qëndroni në formë. 

Zbuloni shkaktarin e stresit!

Një gjë shumë e rëndësishme është ta dini se cili është burimi i stresit tuaj. Ndonëse femrat me mbipeshë shpesh janë të shqetësuara për peshën e tyre, ekzistojnë edhe arsye të tjera që shkaktojnë stresin te këta persona. Andaj, para se të nguteni dhe të filloni me trokitjet e lehta në pjesët e fytyrës është mirë nëse mundoheni që ta identifikoni shkaktarin e stresit tuaj dhe pasi ta keni bërë një gjë të tillë të filloni me teknikën. Hapi i parë mund ta kryejë gjysmën e punës.

Vlerësoni nivelin e stresit tuaj!

Pasi që ta keni identifikuar shkaktarin e stresit ju duhet ta vlerësoni se sa të stresuar jeni. Zakonisht vlerësimi i nivelit të stresit notohet prej 0 deri në 10, ku zero qëndron për nivelin e ultë të stresit, ndërsa dhjeta për momentet kur jeni shumë të stresuar.

Image

Shmangni emocionet negative!

Pasi që ta keni identifikuar burimin dhe nivelin e stresit është e rëndësishme të mundoheni që t’i shmangeni emocioneve negative dhe të mundoheni që të mos kontrolloheni nga to, pasi që të keni bërë një gjë të tillë jeni gati të filloni me trokitje të lehtë në ballë dhe mjekër.

Filloni me goditjet e lehta!

Filloni të goditni (trokitni) lehtë me majat e dy gishtave, gishtit tregues dhe gishtit të mesëm. Këtë veprim mund ta bëni me dorën tuaj të preferuar, si dhe në cilëndo anë të fytyrës që dëshironi.

Caktoni një përkujtues!

Mandej zgjidhni një frazë apo fjalë e cila do t’jua kujtojë qëllimin tuaj, duke jua sjellë në mend që i keni vënë vetës një synim. Nëse jeni nga personat të cilët zemërohen shpejt, atëherë fjala e duhur mund të jetë ‘zemërim’,

Tetëshja fantastike

Tani jeni të gatshëm që të filloni me tetë pjesët e trupit, në të cilat funksionon trokitja. Ato janë:

1.   Vetullat (pjesa në mes të vetullave).

2.   Skaji i syve (skaji i jashtëm i syrit).

3.   Pjesa nën sy (pjesa nën skajin e poshtëm të syve).

4.   Nën hundë.

5.   Mjekra.

6.   Shpatullat (në afërsi të klavikulës).

7.   Pjesa e nënsqetullave.

8.   Kurora e kokës.

Goditeni lehtë secilën pjesë të paktën nga shtatë herë, ideja është që ta fusni në kokë frazën apo fjalën që ia keni caktuar vetes.

Pasi që të keni përfunduar një sesion, shtroni vetes disa pyetje dhe mundohuni ta vlerësoni nivelin e stresit në trupin tuaj. Është mirë nëse mund të bëni të paktën pesë sesione në ditë.

 Bëhuni pozitiv!

Qëllimi parësor i kësaj teknike është që ta zvogëlojë nivelin e emocioneve negative dhe gjërat për ju do të përmirësohen kur të arrini në pikën kur thoni: ‘Në rregull, unë nuk jam e shqetësuar se jam në mbipeshë, përkundrazi, jam shumë e lumtur që një gjë e tillë nuk më shqetëson’. Nëse keni arritur në këtë pikë atëherë niveli i stresit ka rënë nën pesë.

Sa kohë i nevojitet kësaj teknike?

Për dallim nga dietat, të cilat fillojnë të funksionojnë shpejt, teknika e trokitjeve të lehta në fytyrë është më e ngadaltë, ndonëse shumë femra kanë filluar të humbin peshë në javën e parë të përdorimit të kësaj teknike. Një gjë shumë e rëndësishme për këtë teknikë është se duhet të jeni të durueshëm nëse dëshironi të keni gjendje më të mirë psikike dhe trup më në formë.

(Kosova Sot)