Superliga në sytë e të "Huajve"

  • 24 May 2016 - 08:35
Superliga në sytë e të

Kampionati i Kosovës, çdo herë e më joshës.

"Në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për futbollin dhe pranimi në UEFA vetëm e rrit atë. Shqipëria është më lart, por po u bënë kushtet e mira në Kosovë, me dëshirë do të isha kthyer", ka thënë futbollisti i Flamurtarit të Vlorës, Lorik Maxhuni.

Derbatik Curri e Armend Dallku mund të jenë futbollistët e parë që do t'i lënë kampionatet e tjera për t'iu bashkuar këtij të Kosovës. Pranimi në UEFA e FIFA ka entuziazmuar shumë lojtarët kosovarë, të cilët deri dje gjithë vëmendjen e kishin sesi të largohen nga këtu, duke mos parë perspektivë, por ja që gjërat tash kanë ndryshuar. Raiffeisen Superliga e Kosovës, e cila dje i vuri kapakun këtij edicioni duke e nxjerrë kampion të njëjtën skuadër sikur vitin e kaluar, Feronikelin, në sytë e futbollistëve kosovarë që luajë jashtë Kosovës po duket ndryshe, ani pse ende lë shumë për të dëshiruara, duke filluar nga aspekti financiar, cilësia dhe infrastruktura. Ish kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci i cili skuadrës nga Drenasi i tha lamtumirë gjatë vjeshtës së kaluar për t'iu bashkuar Kukësit, në muajin maj ka pasur shumë gëzime.

Ai fillimisht iu gëzuar pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, pastaj titullit të kampionit të ish- skuadrës së tij në Kosovës, Feronikelit dhe se fundmi ai arriti trofe edhe në Shqipëri ku me Kukësin e fitoi Kupën e shtetit shqiptar, e cila ishte e para në histori të skuadrës kuksiane. Lladrovci thotë se futbollit tonë i mbetet ende shumë punë, por nuk e mohon mundësinë e kthimit në Kosovë tash pas pranimit. Njëjtë mendon edhe lojtari i Flamurtarit të Vlorës, Lorik Maxhuni, sipas të cilit, dashuria për futboll në Kosovë është e madhe dhe kjo bën që çdo lojtarë të dëshirojë të luajë në Kosovë. Cilësia mbetet e njëjtë "Gjatë këtyre 4 muajve, sa nuk jam pjesë e futbollit të Kosovës, e kam ndjekur me vëmendje Superligën, dhe nuk mund të them se ka pasur shumë përparim në krahasim me kohën sa isha aktiv në Kosovë. Nëse e bëjmë një krahasim me Ligën e Shqipërisë, them se futbolli shqiptar është më i shpejtë dhe më fizike sesa në Kosovë, si dhe nga ana taktike ka më shumë seriozitet se në Kosovë", ka thënë Lladrovci, duke besuar se tash pas pranimit edhe futbolli kosovar do të nisë të ngritët. "Tash pas pranimit në UEFA e FIFA, e që i jemi gëzuar të gjithë, besoj fuqishëm se futbolli do të përparojë shumë dhe në një kohë të afërt mund ta arrijë nivelin me Shqipërinë apo Ligat e rajonit.

Por për të avancuar nevojitën investime të mëdha, sepse tash motivi është i lartë te lojtarët, talenti nuk mungon dhe tash kanë edhe arsye që t'i përkushtohen dhe ta shohin futbollin si profesion, si klubet ashtu edhe lojtarët", ka vlerësuar ishkapiteni i Feronikelit Lapidar Lladrovci, i cili për momentin nuk beson se do të kthehet në Kosovë, por që as nuk e mohon këtë mundësi. "Sa i përket kthimit në Kosovë, gjithçka varet nga projekti i një klubi serioz, interesimi dhe oferta që kanë karshi meje në këtë rast. Tash për tash kam kontratë edhe 1 vit me Kukësin, ku kam gjetur një ambient të ngrohtë në një klub mjafte serioz, Mirëpo, futbollit nuk i dihet, sot mund te jesh këtu nesër në një klub tjetër", ka përfunduar Lladrovci.

Futbolli në Kosovës, dashurohet shumë Sulmuesi i njohur prishtinas Lorik Maxhuni, që aktualisht është pjesë e skuadrës së Flamurtarit të Vlorës, gjithashtu është një tjetër emër që mund t'i bashkohet Superligës së Kosovës. Maxhuni thotë se e ka përcjellë futbollin tonë dhe se ka parë ndryshime pozitive. "Sa më ka premtuar koha e kam përcjellë futbollin në Kosovë, dhe mendoj se në vitin e fundit ka pasur ndryshime pozitive. Qasja e kryesive të klubeve është ndryshe, derisa edhe infrastruktura ka filluar të përmirësohet, gjë e cila ka ndikuar edhe në ngritjen e cilësisë", ka thënë Maxhuni, i cili beson fuqishëm se tash pas pranimit në UEFA e FIFA edhe investimet në lojtarë, të cilët gjatë periudhës së izolimit kanë luajtur nëpër kampionate të tjera jashtë Kosovës, do të jetë më i madh. "Në Kosovë ekziston një dashuri e madhe për futbollin dhe këtë vit mbase fillon me ndeshje ndërkombëtare, kjo vetëm sa do të rritet. Sigurisht që kjo edhe na josh neve të kthehemi, por kjo varet se çfarë kushte ofrojnë, edhe pse për momentin Shqipëria është më lart, por po u bënë kushtet e mira edhe kthehem", ka përfunduar Lorik Maxhuni.

(Kosova Sot)