Berisha: Edicion i përkryer për Prishtinën

  • 24 May 2016 - 08:39
Berisha: Edicion i përkryer për Prishtinën

Pret që edicioni i ardhshëm të jetë edhe më interesant .

Dardan Berisha, padyshim se është njëri ndër basketbollistët më meritorë për suksesin e trefishtë të Sigal Prishtinës në edicionin 2015/16. Në fundjavën që e lamë pas, Prishtina e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës, derisa muaj më parë është stolisur me trofeun e Ipko Kupës së Kosovës, si dhe me titullin e dytë radhazi në Ligën Ballkanike (BIBL). Bardhekaltrit në këtë edicion kanë debutuar edhe në FIBA Europe Cup, në të cilën garë kanë pasur një paraqitje solide, duke shënuar dy fitore dhe duke pësuar katër humbje. Nuk ishte aspak lehtë Sidoqoftë, për kryeqytetasit ky edicion vlerësohet të jetë i përkryer, pasi i kanë fituar 3 trofe, gjë që nuk e kanë bërë asnjëherë nga paslufta. Kështu mendon edhe basketbollisti më i mirë në vendin tonë, Dardan Berisha: "T'i fitosh tre trofe brenda një edicioni nuk është aspak punë e lehtë dhe atë në një konkurrencë shumë të fortë, e cila ka mbretëruar si në garat vendore ashtu edhe në Ligën Ballkanike.

Por, kur gjithçka përfundoi në favorin tonë dhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme, atëherë vërtet është një kënaqësi e madhe, e cila edhe vështirë mund të përshkruhet. Por, unë jam shumë i lumtur që na është shpaguar i gjithë mundi, pasi ka qenë edicion i vështirë për ne, duke marrë parasysh ngarkesën e madhe që e kemi pasur, për shkak të pjesëmarrjes në katër gara, si dhe për shkak se ekipi ka përjetuar ndryshime, si në lojtarë ashtu edhe në shtabin teknik, brenda një edicioni. Të gjitha këto kanë ndikuar në rënien e formës tonë në disa faza të edicionit, por si skuadër e madhe që jemi ne ia kemi dalë me sukses t'i menaxhojmë dhe t'i tejkalojmë ato. Për sukseset që i kemi arritur gjatë këtij edicioni të gjithë kemi merita, duke filluar nga lojtarët, trajnerët, zyrtarët e klubit dhe ata që gjithnjë besuan në vlerat tona, tifozët që ishin edhe lojtari ynë i gjashtë".(Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)

(Kosova Sot)