Kryemjeshtri rus, Ernesto Inarkiev, kampion i ri Evropian

  • 24 May 2016 - 10:13
Kryemjeshtri rus, Ernesto Inarkiev, kampion i ri Evropian

Shahisti nga Rusia, me 7 fitore, katër remi e pa asnjë humbje, me 9 pikë, arriti të fitojë titullin e kampionit Evropian, duke përfituar kështu edhe çmimin material në vlerë prej 20 mijë eurosh,.

Pas 13 ditësh që nga hapja solemne, të hënën në mbrëmje në Gjakovë u mbyll Kampionati i 17-të Evropian i Shahut, manifestimit më të madh sportiv që ndonjëherë është mbajtur në Kosovë. Në këtë garë morën pjesë 243 shahistë nga 39 vende të Evropës, në mesin e të cilëve ishin edhe 103 kryemjeshtër dhe 29 mjeshtër ndërkombëtarë të shahut, që flet më së miri për nivelin e lartë të konkurrencës që mbretëroi në këtë garë. Dhe, në një konkurrencë kaq të fortë, titullin e kampionit Evropian e fitoi kryemjeshtri rus, 31- vjeçari Ernesto Inarkiev, i cili në 11 xhirot e zhvilluara sipas sistemit zviceran arriti të arkëtojë 9 pikë, duke shënuar 9 fitore, katër remi dhe duke mos pësuar asnjë humbje. Në këtë mënyrë, Inarkiev e zëvendë- soi bashkëvendësin e tij, kampionin e vjetëm Evropian, Evgenyi Najer. 22 më të mirët siguruan pjesëmarrjen e Kampionatin Botëror Kampioni i ri i Evropës në shah që në fillim të garave paralajmëroi se do të jetë kandidati kryesor për të triumfuar. Katër fitore radhazi e qitën atë në plan të parë të favoritëve, kështu që edhe dy remit që pasuan në xhirot 5 e 6 nuk ia zbehën gjasat që në fund të triumfoi. Inarkiev e pati siguruar titullin e më të mirit edhe para zhvillimit të meçeve të xhiros së fundit. Në këtë mënyrë, kryemjeshtri rus arriti të përfitojë 20 mijë euro nga 120 mijë sa ishte fondi i përgjithshëm i shpërblimeve që e ka siguruar Federata Evropiane e Shahut.

Vlera tjetër prej 100 mijë eurosh iu është nda 21 shahistëve të tjerë që janë renditur nga pozita 2 e deri në atë 22 të kësaj gare. Zaten këta 22 shahistë që kanë siguruar renditjen më të mirë në këtë Kampionat, pos kanë përfituar nga çmimet financiare e kanë siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe pjesëmarrjen në kampionatin e ardhshëm Botëror Individual në Shah. Pas fitimit të titullit, kryemjeshtri Ernesto Inarkiev u shpreh shumë i kënaqur, duke potencuar se Gjakova i ka sjell fat. "Jam përgatit shumë mirë për këtë garë dhe kur jam nisur drejt Kosovës dhe qëllim të vetëm kam pasur triumfin në këtë kampionat. Kam qenë i vetëdijshëm për konkurrencën shumë të fortë, por kam pasur besim të plotë në mundësitë e mia dhe u dëshmua se kisha pasur të drejtë. Më duket se Gjakova më solli fat", u shpreh duke qeshur kryemjeshtri rus, kampioni i ri Evropian, Ernesto Inarkiev. Enver Berisha, kosovari më i suksesshëm Fakti se ky kampionat është mbajtur në Kosovë iu ka mundësuar një numri relativisht të madh të shahistëve kosovarë që të marrin pjesë në këtë garë, shumë prej të cilëve u mungonte në tërësi përvoja ndërkombëtare. Kosovari më i suksesshëm në këtë garë doli Enver Berisha, i cili me 6 pikë të arkëtuara zuri vendin e 116-të, ndërsa Nderim Saraçi me 5,5 pikë (50% të pikëve të mundshme) u rendit në pozitën 121. Nga 5,5 pikë i arkëtuan edhe Ajet Mahmuti, Besim Uruqi, Arsim Kelmendi, Eldit Saiti, Jeton Çerkini, Sabahudin Kollari dhe Reshat Neziri që u renditën nga pozita 134 deri në atë 140. "Kur të merren parasysh të gjitha rrethanat, konkurrencën tejet të fortë, mungesën e përvojës ndërkombëtare, përgatitja e pamjaftueshme për një garë kaq të gjatë dhe të vështirë, duhet të jemi të kënaqur me atë që kanë arrit ata. Më shumë se 50 përqindëshi i pikëve i Berishës dhe 50 përqindëshi i 8 shahistëve të tjerë tanë na bëjnë të jemi të kënaqur", ka thënë Nusret Avdia, kryetar i FSH të Kosovës. Në fund duhet thënë se organizimi i kësaj gare ishte një sfidë e madhe për gjakovarët, posaçërisht për punë- torët sportivë të këtij qyteti. Se sa ia dolën ata ta kryejnë detyrën e vet, mbase më së miri flet kryemjeshtri çek, David Navara. "Duke e ditur se kjo është gara e parë e këtij niveli që e organizonte Kosova, respektivisht Gjakova, jam nisur drejt Kosovës me mjaft rezerva. Mirëpo, tash, në përfundim të garës, mund të them se organizimi dhe mikpritja këtu nuk kanë ngecur për asgjë pas vendeve të tjera që kanë organizuar këso garash", ka thënë Navara.

(Kosova Sot)