Zbulohen të fshehtat e jelekut misterioz që përdor Kombëtarja

  • 25 May 2016 - 11:15
Zbulohen të fshehtat e jelekut misterioz që përdor Kombëtarja

Futbollistët e Kombëtares shqiptare gjatë seancave stërvitore të dy ditëve të para kanë mbajtur veshur një “jelek” (GPSports), i cili shërben për të ndihmuar përgatitësit dhe stafin që të kuptojë se cili nga lojtarët kuqezinj impenjohet më shumë gjatë ushtrimeve. 

Diçka të tillë e përdorin thuajse të gjithë lojtarët e tjerë në kampionatet më elitare në Europë edhe gjatë ndeshjeve zyrtare. Ky jelek që vendoset në kraharor dhe te shpatullat mat pulsin e zemrës, intensitetin e vrapimit të lojtarëve, volumin e vrapimit dhe gjithçka tjetër ka të bëjë me anën fizike. Kjo pajisje që mund të vishet sipër fanellës ose poshtë saj dhe peshon 70 gramë.

Shkenca e ka ndihmuar shumë sportin dhe këto ide inovative shërbejnë për të rritur performancën e lojtarëve dhe skuadrave në tërësi. Me këto pajisje mund të matim shpejtësinë, të rrahurat e zemrës, distancën që kanë përshkruar lojtarët, prekjet e topit, ndryshimin e drejtimit të vrapimit. Thuajse të gjithë lojtarët e Xhani De Biazit kanë veshur këtë jelek, shkruan Panorama.

Stafi mjekësor dhe ai teknik ka llogaritur gjithçka me detaje që Shqipëria dhe futbollistët e saj të përgatiten ashtu si kombëtaret e mëdha. Kjo pajisje shërben gjithashtu për të kuptuar nëse ndonjë lojtar ka probleme fizike dhe nuk është në 100%-shin e tij.

(Kosova Sot)