Lorik Cana: Jam për një kombëtare, por djemtë vendosin vetë

  • 25 May 2016 - 12:06
Lorik Cana: Jam për një kombëtare, por djemtë vendosin vetë

Kapiteni Lorik Cana “thërret” për “një kombëtare”. Kapiteni kuqezi kërkon që lojtarët më të mirë të qëndrojnë në Shqipëri dhe Kosova të ketë një përfaqësuese jo për t’u përfaqësuar, por për të ndihmuar kuqezinjtë. Në ambientet e qendrës stërvitore, pas stërvitjes së paradites në orën 12.00, është organizuar kontakti i parë zyrtar me shtypin. Kapiteni i përfaqësueses Lorik Cana, që i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ai e ka vlerësuar Europianin, si një ngjarje të madhe për të gjithë shqiptarët. “Pjesëmarrja në një event të tillë, na rrit krenarinë dhe na bën të punojmë shumë, që të japim më të mirën tonë, në një aktivitet të përmasave të tilla”, tha kapiteni kuqezi. Më pas, ai foli edhe në lidhje me kundërshtarët e grupit dhe synimet që kemi: ”Çdo ndeshje është e vështirë dhe kërkon shumë përqendrim. Mund të rastisë që të humbësh dy ndeshje dhe të kualifikohesh duke fituar të tretën. Megjithatë ndeshja e parë me Zvicrën do të jetë shumë e rëndësishme. Dihen vlerat e kundërshtarit, por ne jemi rritur shumë gjatë kësaj periudhe dhe do të kërkojmë maksimumin”,tha ndër të tjera kapiteni i Shqipërisë. Ja intervista e plotë me të:

-E mendonit që do të ishit në evropian. Në konferencën e parë për shtyp, ju e shihnit si ëndërr këtë gjë?

Konferencën e parë për shtyp si lojtar i Shqipërisë nuk e mbaj mend. Por mbaj mend shumë raste shumë detaje të tjerë që janë të lidhur me bashkëlojtarët dhe tifozët. Është kënaqësi që të jemi këtu për këtë fazë përgatitore kaq të madhe për këtë event magjik.

-Ktheheni në Francën tuaj, kundër Zvicrës?

Jeta ka disa simbolika. Disa shenja të fatit që janë për t’u habitur. Për veç një eventi që bëhet në Francë, në një vend ku jam rritur si futbollist, kam luajtur me dy klubet më të mëdha, do të kthehem në këtë vend për histori. Do të luajmë me Francën në Marsejë. Është një ndeshje e veçantë dhe një vend i veçantë për mua, ku kam edhe familjen. Kemi Zvicrën, ku kam kaluar një pjesë të fëmijërisë time. Ku jam rritur. Është diçka e veçantë sepse edhe ndeshjen time të parë me kombëtaren e kam bërë pikërisht me Zvicrën më 11 qershor 2003 dhe sërish do të luaj pas 13 vitesh. Shpresoj që këtë herë të fitojmë sepse në atë ndeshje që them humbëm 3-2.

-Si i keni arritjet në takimet që keni luajtur në Lens dhe Marsejë

Në Marsejë kam fituar 70% të ndeshje, në Lens gjysmë për gjysmë, ndërkohë që në Lion kam pasur rezultate të mira. Janë stadiume të bukur. Si në Lion dhe Marsejë gjithçka është mrekulli. Për të gjithë njerëzit që kanë fatin të luajnë dhe të shohin ndeshjet në këto stadiume është diçka e veçantë.

-Shqipëria në Europian.

Një ndryshim i tillë është i madh. Sepse bën një jehonë të madhe kudo. Jo vetëm në skenën evropiane dhe botërore. Flitet për Shqipërinë në çdo cep të botës. Kjo është një gjë që na bën të ndihemi krenarë, por do të na shohin gjatë ndeshjeve kualifikuese. Do të në shohin për herë të parë në Europian. Sigurisht do të tregojmë veten dhe ata që nuk na kanë parë, duhet t’u mbushet mendja me këtë kombëtare. Për ata është hera e parë dhe kjo është diçka e madhe për ne. Si kombëtare jemi rritur shumë. Ka djem të rinj dhe të talentuar kudo në Botë që po shpërthejnë. Niveli i futbollit është rritur shumë. Duam edhe në të ardhmen që këto talente të shpërthejnë edhe më tepër nëpër Europë, kudo nga Shqipëria apo Kosova, që të kenë një të ardhme sa më të mirë. Tani po shohim punën 20 vjeçare që jep rezultatet e saj.

-Ndeshja më e rëndësishme në këtë Euro?

Është shumë e vështirë të flasësh për pikë në Europian. Ndonjëherë është edhe punë matematike, duke pasur parasysh që marrin pjesë 24 skuadra në Europian. 16 skuadra do të kalojnë turin. Katër të tretat e grupeve kalojnë dhe me një fitore mund të kualifikohesh. Kjo më bën që të mendoj se nëse nuk kualifikohesh deri në ndeshjen e fundit atëherë je në lojë, por gjithsesi në çdo kompeticion, ndeshja e parë është më e rëndësishmja dhe ajo e para është që ne jemi përqendruar me një kundërshtar të vështirë. Duhet ta nisim me këmbë të mbarë, ndonëse na ka krijuar vështirësi. Ne jemi rritur shumë dhe ajo përballje do të jetë ndeshja më e rëndësishme e kompeticionit tonë. Të dyja palët po përgatiten për ndeshjen e jetës.

-Ju vazhdoni të mendoni që duhet një kombëtare edhe pse Kosova është tani me përfaqësuese?

Nuk jam duke e çuar aq larg sa të mendoj. Të gjithë e dinë mendimin tim dhe kam vite që e them, nuk kam arsye ta ri them sërish. Që nga krijimi i FSHF-së, Shqipëria ka pasur gjithmonë përfaqësuese dhe asnjëherë kombëtare. Kemi vetëm 4 vite që kemi një kombëtare mbarëshqiptare me lojtarë nga Kumanova, Presheva, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Është hera e parë që e kemi këtë kombëtare të bashkuar dhe shihet që të bashkuar arrijmë gjëra të mëdha të mrekullueshme. Gjëja më fantastike që ka ndodhur po kështu të cilën e kam mbështetur, ishte rruga e Kosovës drejt njohjes dhe zyrtarizimit sepse thyen një izolim të padrejtë 25 vjeçar në Kosovë. Është e padrejtë për ata sportistë, që nuk kanë pasur të ardhme dhe ëndrra. Në këtë prizëm duhet parë në Kosovë, pra zhvillimi i futbollit, jo qëllimi për të marrë pjesë me kombëtare. kjo nuk është gjëja më e rëndësishme në këtë moment. Edhe Duka e ka thënë që në fillim këta djem të luajnë jashtë të çlirohen. Për mua është më e rëndësishmja për Kosovën.

-Ju mendoni që nuk duhet të ketë dy kombëtare?

Kam qenë me mendimin që elita duhet të qëndrojë me kombëtaren shqiptare. Kam qenë i mendimit që elita e lojtarëve, më të mirë, të rrinë me kombëtaren shqiptare. Kanë vendosur të veprojnë ndryshe. Unë nuk mund të them është e drejtë e padrejtë. Ndoshta në të ardhmen mund të bashkohen federatat, por kjo nuk i takon brezit tonë. Tani jemi të fokusuar tek Zvicra.

-Ke shqetësime si është gjendja juaj....

Shqetësime kam pasur pak. Kam luajtur 25 ndeshje me Nantën dhe 7 ndeshje me kombëtaren. Nuk janë pak 32 ndeshje. Faktikisht nuk është keq, por kam pasur edhe dhimbje në shpinë. Jam plakur pak. Por tani jam mirë, falënderoj të gjithë. Kemi dy javë për të punuar është diçka fantastike.

-E ardhmja?

Për momentin kemi një marrëveshje me presidentin për një vit, edhe pse mund të ishte dy. Kemi rënë dakord, që unë të largohem pas Europianit, do të bëj pushime dhe më pas sfidën për klubin e ri.

-Kush e fiton Europianin?

Herën e fundit më pyetën kur do të pushosh. U thashë. Nuk e di dhe çfarë date kam prenotuar pushimet. Thjesht pas datës 11 kam planifikuar çdo gjë. Menjëherë pas festës. Shaka. Franca është favoritja e Europianit.

 

Cikalleshi: Këtë herë gol, për lot gëzimi

Në konferencën për shtyp ka dalë edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi. Lojtari që aktivizohet në kampionatin turk është i bindur se këtë herë do të shënojë gol dhe nga ai do të vinë lot gëzimi.  Sulmuesi i është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të gazetarëve në Austri. Ai ka folur në lidhje me përgatitjet dhe formën e tij të këtij edicioni.

Gol me lot, por shqiptarët do t’i gëzosh me lot gëzimi?

Kur i pashë pamjet në televizion apo internet për ndeshjen që po flasim, nuk ishin më të mirat dhe nuk u ndjeva mirë, por duke qenë se ne luanim vendin e katërt në atë ndeshje, ndaj unë jam i lumtur. Përsëri do të bëja të njëjtën gjë, duke shënuar në atë mënyrë për ekipin tim. Do të jetë një kënaqësi nëse do t’i bëj shqiptarët të qajnë nga gëzimi. Jam i gatshëm dhe do të bëj më të mirën që ta bëj që në ndeshjen e parë.

Shtyllat?

Do të zgjidhja ndeshjen me Zvicrën që ta fillonim me këmbën e mbarë dhe pse jo, shënimi i atij goli të jetë fitore për kombëtaren tonë.

Kundërshtari më i lehtë dhe i vështirë?

I marrim ndeshjet një e nga një dhe do të jetë Zvicra sfida më e mirë, pasi një fitore do të jetë ogur i mirë për kalimin e grupit. Sulmuesi i parë? Ndihem shumë mirë për këtë gjë. Falë punës dhe përkushtimit në punën që bëj, ndihem mjaft i lumtur kur kjo më sjell edhe frytet e saj. Unë vazhdoj të bëj më të mirën në çdo moment. Jam krenar që jam pjesë e këtij brezi që bëmë realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shoh përpara, të bëj më të mirën në stërvitje dhe kur jam në fushë, si dhe të ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave, duke nisur që nga kalimi i grupit.

Jeni prodhim i kampionatit shqiptar?

Është e vërtetë që fillimet e mija kanë qenë te Besa dhe kam dalë nga kampionati shqiptar. Me disa dëmtime që kam kaluar, por arrita që të rigjej vetveten dhe falë ndihmës së njerëzve të mi më të afërt, arrita që të ringrihem dhe të vazhdoj karrierën jashtë shtetit. Nëse ekziston dëshira, përkushtimi dhe pasioni për futbollin, mund të arrihet çdo gjë. Ju siguroj diçka që si klubi, ashtu edhe unë jemi të kënaqur me njëri-tjetrin. mund të them që ka qenë një vit i parë me siguritë e veta sepse kampionati turk është ndër më të mirët në Europë dhe vështirësia është prezent, por kam shënuar 13 gola në këtë vit dhe është një kuotë e mirë. Sigurisht që unë edhe nëse shënoja 30 gola, do të doja akoma të tjerë. Jam i lumtur në klubin që jam dhe shpresoj që vitin tjetër të bëj edhe më mirë.

Tifoz në Europian?

Kam qenë me Gjermaninë, por tani ne jemi vetë pjesë e Europianit dhe i kam harruar të gjithë ekipet e tjera. Nuk mund të theksoj vetëm një person, për këtë arritje pasi janë disa të tillë. Që nga e fejuara ime, familja, lojtarët, stafi, tifozët e mrekullueshëm që kanë qenë prezent në çdo ndeshje. Janë shumë dhe kështu dua që të vazhdojmë edhe në të ardhmen.

Gola në seancën e parë stërvitore…

Po jam shumë mirë. Ndeshjet e fundit në kampionat i kam zhvilluar me nga 90 minuta. Kemi mjaftueshëm kohë për të punuar me kombëtaren së bashku me stafin.

Petkoviç: Shqipëria? Ndeshje emocionuese

Trajneri i skuadrës së Zvicrës, Vladimir Petkoviç është i bindur se Shqipëria është një skuadër e vështirë dhe e aftë që të arrijë shumë lart. Në një intervistë dhënë për Federatën Shqiptare të Futbollit, sfidën me “Kuqezinjtë” ai e quan si “të veçantë, që nuk duhet të tejkalojë konturet e futbollit”. Trajneri i helvetëve ka folur për grupin, objektivat, skuadrën më të fortë dhe pretendentët. “Së pari, ekipi shqiptar e meritoi totalish kualifikimin. Ata bënë një punë të mirë në një grup që nuk ishte i lehtë. Një ekip që mundi Portugalinë në Portugali është i aftë të arrijë edhe më shumë. Kanë lojtarë shumë të fuqishëm. Kanë një frymë ekipi shumë të mirë. Janë ekip i vështirë, jo vetëm për ekipin e Zvicrës. Ana mediatike ka shumë emocione, madje është përdorur dhe terminologji e arteve marciale për këtë ndeshje. Me të vërtetë është një ndeshje e veçantë, megjithatë në fund të fundit mbetet një ndeshje futbolli, që do e fitojë skuadra më e mirë”, është shprehur ai.

De Biazi eksperimenton në mbrojtje

Në ditën e dytë të qëndrimit zyrtar në Bad Valtersdorf, kombëtarja ka zbatuar pikë për pikë programin e përcaktuar nga trajneri De Biazi. Në orën dhjetë fiks, ka nisur seanca e parë stërvitore, e cila ka zgjatur për rreth 1 orë e 10 minuta. Ajo, është zhvilluar e gjitha nën një shi që kishte nisur që një natë më parë. Futbollistët, kanë qenë shumë të karikuar ndërkohë që stafi dhe trajneri kanë kontrolluar zbatimin e detyrave të tyre. Ashtu si edhe dje pasdite, portierët Berisha, Shehi dhe Hoxha, kanë punuar në mënyrë të diferencuar në pjesën më të madhe të kohës, duke u stërvitur në fushën tjetër nga trajneri Ilir Bozhiqi.

Ndërkohë, skuadra ka zhvilluar një seri aplikacionesh taktike, në kuadrate, zona të ngushta dhe në fund edhe me depërtime që mbylleshin me goditje në portë. Ledian Memushaj është lojtari i 20, i listës së trajnerit Xhani De Biazi, për përgatitoret në prag të finaleve të Europianit “Francë 2016”. Mesfushori që luan me Peskarën, ka mbërritur të hënën në mbrëmje në ambientet e hotel “Frankenshtejner”, në Austri. Ai ka udhëtuar nga Milano, ku është paraqitur konsullatën shqiptare, për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për pasaportë, për shkak se pasaporta që posedon i skadon përpara fillimit të Kampionatit Europian. Dje paradite mesfushori shqiptar, ka kryer stërvitjen e parë në kompleksin sportive të Bad Valsterdorf, së bashku me grupin tjetër të futbollistëve të kombëtares.

Pasdite gjërat kanë ndryshuar. De Biazi ka eksperimentuar çdo pozicion në mbrojtje dhe çdo lojtar në 50 minuta taktikë. Pjesa e fundit e stërvitjes i takonte taktikës, ku u aplikuan harkime në zonë dhe skema të tjera taktike. Sot përseri do të vazhdojë regjimi me dy stërvitje në ditë.

Testimi për sigurinë

Tre javë përpara startit të Euro 2016, organizimi dhe siguria e stadiumeve në Francë është vënë seriozisht në pikëpyetje. Për të evidentuar problemet e mëdha organizative, shërbeu ndeshja e fundjavës së kaluar në Stade de France, ndërmjet Paris Saint Germain dhe Marsejë. Finalja e Kupës së Francës që duhej të ishte një provë gjenerale përpara turneut, edhe sepse për herë të parë forcat e sigurisë vunë në jetë planin e masave që do të aplikohen gjatë Euro 2016. Pika kontrolli të sigurisë, rrugë të mbyllura dhe vetëm tre pika hyrje për një stadium me kapacitet 80 mijë vende. Gjithçka rezultoi në një dështim total. Masat e sigurisë shkaktuan radhë të gjatë dhe mbipopullim të dyerve të stadiumit dhe ndikuan në acarimin e turmave të tifozëve. Këto momente u shoqëruan me incidente jashtë stadiumit.

(Kosova Sot)