Feronikeli si Shqipëria

  • 25 May 2016 - 18:03
Feronikeli si Shqipëria

Pranimi në UEFA dhe FIFA ndryshon qasjen e punës te skuadrat tona

“Futbollistët do të kenë vetëm një javë pushim, për t’iu kthyer përgatitjeve për ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Në fillim të qershorit parashikojmë të udhëtojmë jashtë vendit për përgatitje. Momentalisht janë dy opsione, Austria ose Ohri”, ka thënë Afrim Tovërlani

Nuk ka më pushime te gjata për futbollistë

Shqipëria tashmë i ka nisur përgatitjet për Evropianin “Franca 2016”, derisa vendi më i preferuar i kuqezinjve për punë ishte Austria. Të njëjtin model duket se do ta ndjekë edhe kampioni i Kosovës, Feronikeli, i cili në fund të muajit qershor do ta zhvillojë ndeshjen e parë të saj në kuadër të Ligës së Kampionëve. Pranimi në UEFA e FIFA tashmë ka ndryshuar edhe strategjinë e punës te skuadrat. Përderisa vitet e kaluara pas përfundimit të kampionatit lojtarët shkonin në pushime, të cilat zgjasnin me muaj, këtë herë gjërat janë ndryshe. Feronikeli, pas përfundimit të Superligës së Kosovës, e cila u mbyll në fundjavën që sapo lamë pas, do të ketë vetëm një javë pushim, për t’iu kthyer prapë punës, derisa në fillim të qershorit, saktësisht më 10 qershor, parashikon të udhëtojë në Austri në një përgatitje prej 10-12 ditë.“Futbollistët do të kenë vetëm një javë pushim, për t’iu kthyer përgatitjeve. Në fillim të qershorit parashikojmë të udhëtojmë jashtë vendit për përgatitje 10 ose 12 ditore. Momentalisht janë dy opsione, Austria dhe Ohri, dhe do të shohim ku do të shkojmë”, ka thënë trajneri Afrim Tovërlani,  skuadra e së cilit edhe gjatë fazës së dimrit dalloi nga të tjerat, kur stërvitjet i zhvilloi në Antalia të Turqisë, gjë e cila edhe rezultoi me sukses, pasi ajo në fund të kampionatit ishte plot 10 pikë dallim nga vendi i dytë duke e fituar titullin pothuajse pa problem. Në anën tjetër kjo ngarkesë që do të vijë për futbollistët nuk i pengon aspak. Ata mezi po e presin daljen në arenën ndërkombëtare, kështu që nuk brengosën që tash nuk kanë shumë mundësi pushimi.“E kemi prit me vite këtë gjë, kështu që aspak nuk na pengon që nuk mund të pushojmë më gjatë”, ka thënë, futbollisti kryesor i Feronikelit, Behar Maliqi, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Ndryshon qasje

“Sigurisht që tash do të ndryshojë mënyra dhe ritmi i përgatitjeve, çka do të thotë se 3 javë do të punojmë në mënyrë intensive, ndërsa në javën e fundit do të ulim intensitetin duke relaksuar skuadrën që të jetë e freskët për ndeshjen e parë”, ka thënë Afrim Tovërlani, për të cilin këto sfida nuk janë aspak të panjohura. Ani pse ai asnjëherë zyrtarisht nuk pati mundësi të drejtojë një skuadër në kompeticione të tilla, gjithsesi me Prishtinën pati fatin të zhvillojë shumë ndeshje miqësore, madje edhe me kundërshtarë të mëdhenj, ku nuk u tregua aspak inferior, duke sjellë rezultate të mira. E fundit që përjetoi forcën e “Tokit” ishte skuadra e Gjeorgjisë, Zugdidi, me të cilin u ndeshën në Antalia në miqësore, që Feronikeli e fitoi me rezultat 2:1. “Do t’i kemi 1 muaj në dispozicion për t’u përgatitur. Sigurisht që tash pushimet janë më shkurt se zakonisht, por gjithsesi është më mirë pasi lojtarët nuk do të humbin si në të kaluarën në aspektin fizik”, ka thënë Tovërlani, duke mos dhënë shumë detaje nëse skuadra e tij do të ndryshojë sa u përket përforcimeve.“Nuk do të ketë shumë ndryshime, por vetëm aty ku mendojmë se janë të nevojshme. Do të shtojmë konkurrencën dhe bëjmë gati ekipin edhe për kampionat e jo vetëm për ndeshje të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Afrim Tovërlani.

Maliqi: Këtë ditë e kemi pritur

Sigurisht që ndryshimet në fazën e punës mund të kenë ngarkesë fizike të futbollistët, kur dihet se ata zakonisht kanë pasur pushime më të gjata, megjithatë lojtarët nuk besojnë se kjo do të ndikojë negativisht tek ta, madje ata më të motivuar se kurrë po e presin daljen në arenën ndërkombëtare. “Nuk e besoj se kjo do të jetë një ngarkesë dhe të ndikojë negativisht tek lojtarët. Ne mezi e kemi pritur këtë ditë, kështu që do të jetë një vullnet i madh për të punuar. Jam i bindur që do ta prezantojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ish-futbollisti i Prishtinës dhe Partizanit të Tiranës tash i Feronikelit, Behar Maliqi. Të kujtojmë se përveç “Niklit”, futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare do ta prezantojë edhe fituesi i Kupës, derisa emri i skuadrës do të dihet të shtunën, kur edhe zhvillohet finalja ndërmjet Prishtinës e Dritës, fituesi i së cilës kualifikohet në garat e Ligës së Evropës.

(Kosova Sot)