Balaj: Në Euro 2016 i krijojmë vështirësi çdo rivali

  • 26 May 2016 - 13:20
Balaj: Në Euro 2016 i krijojmë vështirësi çdo rivali

Për herë të parë gjatë grumbullimit në Bad Waltersdorf, konferencat për shtyp të Kombëtares shqiptare janë ndjekur nga mediat ndërkombëtare. Nga gjermanët e Sedeusche Zeitung, anglezët e Radio BBC dhe mediat austriake si televizioni ORF dhe gazeta vendase. Për gazetarët ndërkombëtarë të pranishëm, Bekim Balaj transmetoi menjëherë mesazhin e Shqipërisë përpara startit të Euro 2016.

“Fryma është e mirë dhe këtë e kemi treguar. Deri këtu kemi ardhur falë grupit që kemi dhe kështu do të vazhdojmë edhe në Kampionatin Europian.”

Shkodrani i sulmit ishte lojtari që i hapi rrugën kualifikimit të Shqipërisë, me golin e fitores të shënuar në Portugali. Por, me vetëm një vend në sulm, për Balaj-n dhe dy miqtë e tij, Cikalleshi e Sadiku rivaliteti bëhet i fort.

“Si sulmues mendja vetëm te goli na shkon. E rëndësishme është që po punojmë në maksimum të jemi në formën tonë më të mirë. Shpresoj të jem titullar dhe të ndihmoj ekipin në këto ndeshje. Po ta shoh sezonin, mund të them se ka qenë pozitiv. jam paraqitur në formë optimale fizike në Kombëtare. Kemi 10 ditë përgatitje dhe dy miqësore për të qenë në formën më të mirë në Europian. Në sulm unë Cikalleshi e Sadiku jemi njohje të vjetra. Kemi luajtur në kombëtaret e moshave. Jemi miq të mirë, por në fushë secili synon të japë më të mirën për ekipin. Megjithatë në fund zgjedhjet i bën trajneri, por e rëndësishme është që ne jemi gati për këto ndeshje.”

Nga mbështetja e tifozëve, që e komentoi me një batutë për Shkodrën e tij, e deri te rivalët e grupit në finalet e Europianit, Balaj mbetet optimist për potencialin e Kombëtares.

“Në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë kemi qenë tifozë me ekipe të ndryshëm. Në Shkodër ka shumë tifozë gjermanë, por flamujt e këtij vendi tashmë do të zëvendësohen nga flamuri shqiptar. Ndër kundërshtarët tanë mund të veçaoja Francën me emra të mëdhenj dhe lojtarë të njohur në mbrojtje. Por, nuk ka shumë rëndësi kundërshtari. Po të përqendrohemi te vetja dhe të japim maksimumin vendosim në vështirësi çdo skuadër.”

 

Dy javë përpara Euro 2016, parashikimet nuk janë të lehta. Por, nëse zbuloi dëshirën që ka për të ardhmen e afërt, me një duel përballë idhullit Zlatan Ibrahimovic, Balaj la gjithçka të hapur për skuadrën, edhe pse ka një vit kontratë me kroatët e Rijekas.

“Ndeshjet e Ibrahimovic i kam ndjekur pasi Kombëtarja jonë ka luajtur ndaj Suedisë. Curri që ka qenë përballë Ibrës më ka treguar për potencën e tij. Shpresoj ti kemi përballë nëse kalojnë grupin. E ardhmja ime? Kam edhe një vit kontratë dhe dy vite opsion rinovimi te Rijeka. Por, futbolli nuk të lejon të bësh plane afatgjata. Jam i përqendruar vetëm te Kombëtarja për momentin dhe më pas të shohim çfarë ndodh me klubin, pasi sezoni nis shpejt.”

(Kosova Sot)