Italia e rrezikshme

  • 26 May 2016 - 17:59
 Italia e rrezikshme

Prezantimi i Kombëtareve për “Euro 2016” - Italia

Italia ndoshta nuk e ka ekipin më të mirë në Kampionatin Evropian, por italianët gjithmonë janë treguar të rrezikshëm, sa herë që nuk janë konsideruar favoritë. Kështu ndodhi edhe në Evropianin e kaluar, kur depërtuan deri në finale, duke pësuar në fund nga Spanja 4:0. “Azzurrët” janë më të suksesshëm në Botërore, por kërkojnë të lënë gjurmë në Francë. “Kosova Sot” ju sjell statistikat, rekordet e historinë e Përfaqësueses italiane   

Finaliste në Evropianin e kaluar

Italia është njëra nga ato skuadra që gjithmonë është e gatshme të befasojë. Edhe pse do të paraqiten pa disa futbollistë cilësorë, si Andrea Pirlo, Claudio Marchisio e Marco Verratti, “Azzurrët” janë një ‘arrë’ e fortë për çdo kundërshtar. Ata janë më të suksesshëm në Botërore, por edhe në Kampionate Evropiane janë treguar të rrezikshëm.“Të Kaltrit” në Evropianin e kaluar arritën deri në finale, duke pësuar nga Spanja me rezultat 4:0. Sidoqoftë, trajneri Antonio Conte kërkon të lërë gjurmë në Francë, pasi pas përfundimit të Evropianit do t’i bashkohet skuadrës londineze, Chelsea. Pika më e fortë e tyre është mbrojtja, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Më të suksesshëm në Botërore

Italia është njëra nga skuadrat më të suksesshme në Kampionate Botërore, duke fituar katër herë, dy herë u paraqitën në finale, një herë në vendin e tretë dhe një herë në vendin e katërt. Ata gjithashtu fituan një herë Kampionatin Evropian më 1968, derisa dy herë u paraqitën në finale, më 2000 dhe 2012. Nofka e tyre është “Azzurrët”, apo të “Kaltrit”, pasi kështu u paraqitën në ndeshjet e para, e më pas u bë njëra nga skuadrat më të suksesshme në botë. Edhe në Evropianin e kaluar nuk u konsideruan favoritë, megjithatë arritja në finale dëshmoi sesa të rrezikshëm janë. Kështu pritet edhe në Evropianin “Francë 2016”. Italia ka marrë pjesë 18 herë në Kampionate Botërore, duke e fituar dy herë radhazi, më 1934 dhe 1938, derisa triumfuan më 1982 dhe 2006. Në Kampionate Evropiane janë paraqitur nëntë herë dhe suksesi më i madh është i vitit 1968, kur u shpallën kampionë, në paraqitjen e parë. Futbollisti me më së shumti paraqitje është portieri Giuanluigi Buffon, i cili është kapiten i skuadrës, derisa shënuesi më i mirë mbetet Luigi Riva me 35 gola. Trajner është Antonio Conte.

 

Image

 

Asnjë humbje në kualifikime

“Azzurrët” në kualifikime për “Euro 2016” ishin në Grupin H, së bashku me Kroacinë, Norvegjinë, Bullgarinë, Azerbajxhanin dhe Maltën. Italianët kishin një kampanjë mjaft të mirë dhe në dhjetë ndeshje kishin shtatë fitore dhe tre barazime, duke mos pësuar asnjë humbje. Ata u renditën në vendin e parë, me 24 pikë. “Të Kaltrit” shënuan 16 gola dhe pësuan shtatë dhe nuk arritën të mundin Kroacinë, duke barazuar dy herë me rezultat identik 1:1. Kroacia u rendit e dyta me 20 pikë, kurse Norvegjia e treta me 19. Loja e tyre u bazua si gjithmonë më shumë në mbrojtje, që është pika më e fortë e tyre. Edhe në Kampionatin Evropian nuk do të kenë lehtë, pasi ndodhen në Grupin E, së bashku me Belgjikën, Republikën e Irlandës dhe Suedinë. Megjithatë, kalimi i grupit nuk shihet shumë problem për italianët, që synojnë të shkojnë sa më lart. Ata kanë ditur të befasojnë disa herë dhe shpresojnë që këtë ta bëjnë edhe në Francë. “Kam shumë pak dyshime rreth 23 lojtarëve që do të shkojnë në Francë. Duhet të jemi të përgatitur për çdo detaj. Lëndimet e Verratti-t dhe Marchisio-s ndryshuan planet tona. Por, ne jemi të përgatitur për gjithçka dhe kërkoj maksimumin nga çdo lojtar”, deklaroi Conte.

Rezultatet në kualifikueset për Evropian

Norvegji - Itali 0:2

Itali - Azerbajxhan 2:1

Maltë - Itali 0:1

Itali - Kroaci 1:1

Bullgari - Itali 2:2

Kroaci - Itali 1:1

Itali - Maltë 1:0

Itali - Bullgari 1:0

Azerbajxhan - Itali 1:3

Itali - Norvegji 2:1

Orari i Grupit E

13 qershor: Belgjikë - Itali

17 qershor: Itali - Suedi

22 qershor: Itali - Irlandë

(Kosova Sot)