Bunjaki: Ishujt Faroe, sikurse Finlanda e Islanda

  • 27 May 2016 - 09:03
Bunjaki: Ishujt Faroe, sikurse Finlanda e Islanda

Kjo është ndeshja e parë nën ombrellën e UEFA-s dhe FIFA-s.
"Ishujt Faroe janë një kundërshtar shumë i mirë, për faktin se kanë një ngjashmëri me lojën e Finlandës dhe Islandës. Kam shikuar 5 ndeshje të Ishujve dhe kam parë se është ekip mirë i organizuar dhe kolektiv", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Albert Bunjaki.

Tre muaj para fillimit të eliminatorëve për Kampionatin Botëror "Rusia 2018", Kosova ende nuk e di grupin në të cilin do të jetë, e aq më keq as grupin e lojtarëve që do ta ketë, pasi ende nuk dihet saktë se kush do t'i thotë po e kush jo ftesës së përzgjedhësit Albert Bunjakit. Kjo padyshim se është një telashe e madhe për përzgjedhësit, por ai vazhdon me optimizmin e tij se Kosova do të jetë shumë e fuqishme dhe ka të ardhme të ndritur. Miqësorja e 3 qershorit, kundër Ishujve Faroe pritet të jetë një test tejet i rëndësishëm për skuadrën e Bunjakit, i cili tashmë ka nisur të ndërtojë ekipin që do të paraqitjet në eliminatoret historike për ne,shkruan gazeta Kosova Sot.

Ishujt Faroe në shikim të parë duken një kundërshtar i lehtë për faktin se emri i tij nuk përbën shumë sukses në futbollin ndërkombëtare. Mirëpo, nëse shikohen sfidat e fundit të kësaj skuadre, ku u përballë me rivalë si Rumania, Hungari e Finlanda, pavarësisht humbjeve la të kuptojmë se kemi të bëjmë me një ekip të organizuar mirë, e këtë më se miri e kuptoi Greqia, e cila pësoi humbje nga ajo në dy ndeshje. Përzgjedhësi i Kosovës këtë miqësore e konsideron shumë të vlefshme për faktin se Ishujt Faroe zhvillojnë një futboll të ngjashëm me atë të Finlandës e Islandës, kombëtare këto që pritet të jenë rivalë në eliminatorët për Botërorin e vitit 2018. Rivali ynë pothuajse ka një javë që e ka shpallur listën e skuadrës me të cilën do të përballet me Kosovën. Kjo sikur i ka dhënë mundësi më shumë përzgjedhësit, Albert Bunjaki, që ta analizojë lojtarët kundërshtarë, derisa ka thënë se kjo skuadër nuk duhet nënçmuar, pasi bëhet fjalë për një ekip që luan futboll kolektiv dhe shumë dinamik.

Test shumë i rëndësishëm

"Gjatë këtyre ditëve kam pasur mundësi t'i shohë 5 lojë të Ishujve dhe vërtet nuk më befasuan rezultatet e ngushta, por edhe loja e mirë. Ishujt Faroe ka një organizim të mirë dhe ekip kolektiv, që luan bashkë tash e sa vite. Fitorja ndaj Greqisë si vendas, por edhe si mysafirë nuk ishte e rastësishme. Pra kjo ndeshje do të jetë një test shumë i mirë për ne, pasi ka ngjashmëri me Finlandën dhe Islandën", ka thënë numri një i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, për të cilin kjo ndeshje është e para për Kosovën që zhvillohet nën ombrellën e UEFA-s e FIFAs, gjë e cila paksa ka krijuar presion te të përzgjedhurit e Bunjakit, pasi është shumë e rëndësishme që rrugëtimi të nisë me fitore. "Kjo është loja e 14-të që e zhvillojmë në përgjithësi, e 10-ta pas vendimit të janar 2014, dhe e para pas pranimit në UEFA e FIFA. Ne do të vazhdojmë punën tonë në bazë të planit të paraparë që të përgatitemi për performanca në kualifikimet e Botërorit, e pastaj edhe të evropianit që mendoj se është shansi jonë real të befasojmë. Pra, na nevojitet një botëror i mirë për të realizuar synimet tona për evropian", ka thënë strategu në bankinën e Kosovës.

Lista zbulohet të dielën

Derisa Ishujt tashmë e kanë publikuar emëroren e vet, përzgjedhësi Albert Bunjaki një gjë të tillë ende nuk e ka zbuluar, derisa për mundësinë e risive ka thënë që të presim deri të dielën dhe aty do të shohim. Gjithsesi, Kosova pritet të sjellë disa risi për dallim nga ndeshja e fundit me Shqipërinë, por jo edhe aq të theksuara. "Në do të kemi nevojë për durim dhe kohë, unë jam i bindur që do të kemi sukses në një të ardhme të shpejtë. Sa i përket listës së lojtarëve të ftuar ajo do të publikohet më 29 maj, në ora 13.00, dhe aty do të shohim cilët lojtarë janë të ftuar për lojën kundër Ishujve Faroe", njoftoi Bunjaki, sipas të cilit Kosova ka të ardhme të madhe, por se ka kërkuar durim për këtë. "Edhe vrapimi i 10 mijë metrave fillon me hapin e parë. 3 muaj para fillimit të Botërorit ne ende saktësisht nuk e dimë në cilin grup do jemi e po ashtu kur dhe kush do t'i bashkohet grupit të lojtarëve. Pra, jemi në një situatë të vështirë, por që do e tejkalojmë me kohë dhe nga dita në ditë do jemi më të fortë, ashtu siç kemi tregu deri më tani", ka përfunduar përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki.

(Kosova Sot)