Golden State nuk dorëzohet

  • 27 May 2016 - 14:14
Golden State nuk dorëzohet
Seria finaleve të Konferencës së Perëndimit në Nba, mbetet e hapur. Pas dy humbjesh radhazi, Golden State dha shenja jete pasi triumfoi në takimin e 5-t ndaj Oklahomas me shifrat 120-111.  Në Oracle Arena Stephen Curry realizoi 31 pikë ndërkohë që i ndihmoi të tijët edhe me 6 asist dhe 7 kërcime, duke bërë të pavlefshme paraqitjen e Kevin Durant i cili në krahun tjetër e mbylli ndeshjen me 40 pikë. Paraqitje tepër pozitive edhe ajo e Rusell Westbrook. Mvp-ja i All Star Game gjatë 2 sezoneve të fundit koleksionoi në total 31 pikë, 8 asist dhe 7 rebound. Pas kësaj fitoreje të Golden State seria e finaleve të Perëndimit vazhdon të kryesohet nga Oklahoma por tashmë jo më 3-1 por 3-2, megjithatë City Thunder kanë favorin se ndeshjen e 6-të do ta zhvillojnë në shtëpinë e tyre, takim në të cilin kanë shansin e shkëlqyer të sigurojmë avancimin në finalen e madhe. Skuadra nga Oakland arriti të hidhte pas krahëve atë disfatë turpëruese që pësoi disa ditë më parë por gjithsesi Golden State nuk e pati të thjeshtë, madje Steph Curry-it me shokë iu desh të djersnin shumë për të mbajtur kampionët në fuqi të Nba në lojë.  Në pjesën e parë formacioni i trajnerit Steve Kerr kishte më shumë iniciativë dhe falë edhe 5 pikëve të realizuara nga Curry në periodën e dytë, Golden State shkoi në pushim me avantazhin 58-50. Por jo cdo gjë shkoi sipas planeve të Warriors, sepse City Thunder të mbështetur fuqishëm te dy yjet e tyre Westbrook dhe Durant, arritën të zhvillonin një periodë të tretë fantastike duke marrë në një moment edhe kryesimin e ndeshjes 68-67. Gjithsesi te miqtë u ndje lodhja dhe kalimin e minutave vendasit morën sërish kontrollin e lojë duke triumfuar në fund me rezultatin 120-111. Përvec Curry-it te Golden State, është për tu përmendur edhe paraqitja e Klay Thompson që realizoi 27 pikë, ndërsa australiani Andrew Bogut jo vetëm që i ndihmoi të tijët me 15 pikë por u shfaq si një mbret poshtë tabelës duke kontrolluar në total 14 kërcime. (Kosova Sot)