Gati për finalen spektakulare

  • 28 May 2016 - 09:34
Gati për finalen spektakulare

Sot nga ora 16:00 zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në futboll

 Skuadrat finaliste, këtë herë, përveç trofeut, luftojnë edhe për 200 mijë eurot që i garanton UEFA për fituesin, si dhe për pjesëmarrjen në garat e Ligës së Evropës, gjë kjo që ka ndikuar që interesimi për këtë përballje të jetë i jashtëzakonshëm

Stadiumi i Prishtinës pritet të jetë i mbushur

Nuk mbahet mend të ketë pasur interesim më të madh sesa sivjet për t’u ndjekur finalja e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, e cila me plot të drejtë po cilësohet edhe si finale historike. Në këtë pa dyshim ka ndikuar fakti se triumfuesi i saj do të dalë në arenën ndërkombëtare, kështu që tifozët  e të dyja skuadrave, Prishtinës e Dritës, që ballafaqohen në finale,  duket se nuk do të kursejnë asgjë për t’i mbështetur futbollistët në fushë, në mënyrë që të vijnë te suksesi. Të kujtojmë se këtë herë përveç trofeut të Kupës, luftohet edhe për 200 mijë eurot që i garanton UEFA për fituesin, si dhe për pjesëmarrjen në garat e Ligës së Evropës, gjë kjo që nuk ka pasur sesi të mos ngjallë kureshtje. Interesimi është jashtëzakonisht i madh. Të dy tifozët e klubeve kanë paralajmëruar se pritet të jenë në numër të paparë në stadium. Në anën tjetër organizatorët e kësaj ndeshjeje, kanë bërë të ditur se në shitje kanë dalë 15 mijë bileta, aq sa është kapaciteti i stadiumit dhe po besohet se të gjitha do të shiten. Të kujtojmë se përveç finales në konkurrencën e meshkujve, sot zhvillohet edhe finalja në atë të femrave, ku ndeshen Hajvalia dhe Mitrovica prej orës 13:30. Hajvalia në këtë sfidë hyn me synim për ta fituar trofeun e dyfishtë pas titullit të kampionit, që e fitoi ditë më parë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Prishtina e favorizuar

Si përket ndeshjes, duhet pranuar që Prishtina është më e favorizuar, kjo për dy arsye shumë të forta. E para është që Prishtina luan në fushën e vet, pasi finalja zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit, dhe e dyta është se Drita ende nuk e ka siguruar mbijetesën, dhe se për të qëndruar në elitë duhet ta zhvillojë ndeshjen e barazhit ku përballet me Flamurtarin të mërkurën. Këto janë arsyet që e bëjnë Prishtinën më të favorizuar, megjithatë  ky favor mbetet vetëm në letër, pasi finalet gjithmonë sjellin motiv maksimal dhe jo çdoherë fiton më i miri. Drejtuesit e skuadrës gjilanase thonë se presioni këtë herë është te Prishtina, e cila medoemos po e kërkon daljen në arenën ndërkombëtare, derisa Prishtina bazohet në formën e saj të mirë dhe dëshira e madhe për të përfaqësuar Kosovën, si skuadra e para në Ligën e Evropës, bën që ajo të japë gjithçka për të ardhur te ky sukses.

(Kosova Sot)