Suedia varet nga Ibra

  • 28 May 2016 - 09:36
Suedia varet nga Ibra

Prezantimi i Kombëtareve për “Euro 2016” - Suedia

Zlatan Ibrahimoviq është futbollisti kyç i Suedisë. Kjo përfaqësuese ka mbështetur lojën e saj te sulmuesi shtatlartë, i cili në vitet e fundit ka qenë gjithmonë vendimtar për suedezët, që shpresojnë se Ibra do të jetë në formë edhe në Evropianin “Francë 2016”. “Kosova Sot” ju sjell statistikat, rekordet dhe historinë e Përfaqësues suedeze  

34-vjeçari si vera, sa më i vjetër aq më i mirë

Suedia është njëra nga ato skuadra, që gjithmonë është e paparashikueshme. Loja e tyre në vitet e fundit është varur nga Zlatan Ibrahimoviq, i cili dukshëm është lojtari më i mirë i tyre. Ibra ka luajtur në nivelet më të larta dhe në skuadrat më të njohura dhe më të suksesshme të Evropës, si: Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan e PSG. Ai është shpallur dhjetë herë futbollisti më i mirë suedez. Nëse sulmuesi shtatlartë është në formë, atëherë Përfaqësuesja e Suedisë pritet të ketë më lehtë në Kampionatin Evropian. 34-vjeçari ishte në top-formë në edicionin e fundit me PSG-në dhe suedezët shpresojnë që të vazhdojë me këtë ritëm edhe në Francë, ku nuk do të kenë aspak lehtë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Gjysmëfinalja, arritja më e madhe e suedezëve  

Përfaqësuesja e Suedisë ka traditë të lashtë në futbollin botëror. Ata ishin paraqitur për herë të parë në një Kampionatin Botëror më 1934. Në 11 pjesëmarrje në Botërore, Suedia suksesin më të madh e kishte në vitin 1958 kur u kualifikuan deri në finale, por u mposhtën nga Brazili i Pele-s. Dy herë përfunduan në vendin e tretë. Në Kampionate Evropiane kanë marrë pjesë pesë herë, dhe suksesi më i madh mbetet nga viti 1992, kur u paraqitën për herë të parë, duke arritur deri në gjysmëfinale. Më 1948 fituan Lojërat Olimpike, derisa medaljen e bronztë e fituan më 1924 dhe 1952. Rivalët më të mëdhenj të saj janë Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka. Me këtë të fundit kanë më shumë rivalitet dhe e mundën në “Play-off” për të siguruar Evropianin, pasi në grupin e tyre përfunduan në vendin e tretë. Futbollisti me më së shumti paraqitje është Anders Svensson me 148 ndeshje, derisa shënuesi më i mirë është Zlatan Ibrahimoviq me 62 gola. Ibra është edhe kapiten i skuadrës, derisa trajner është Erik Hamren.

Sulmuesi shtatlartë, vendimtar për suedezët

Suedezët nuk kishin një kampanjë shumë të mirë kualifikuese, duke u befasuar nga forma e mirë e Austrisë, kurse mbi Suedinë përfundoi edhe Rusia. Në Grupin G ishin edhe Mali i Zi, Lihtenshtajni dhe Moldavia. E para e këtij grupi ishte Austria me 28 pikë, nëntë fitore dhe një barazim (me Suedinë), derisa e dyta, Rusia me 20 sosh. Suedia u rendit e treta me 18 pikë, pesë fitore, tre barazime dhe dy humbje, duke shënuar 15 gola dhe pësuan nëntë. 11 nga 15 golat e realizuara të Suedisë mbajnë firmën e Zlatan Ibrahimoviq. Kështu Suedia për t’u kualifikuar në Evropian duhej të kalonte përmes “Play-off”-it. Shorti deshi që të ballafaqohen me rivalin më të madh Danimarkën. Edhe në “Play-off” vendimtar ishte Ibra. Suedia fitoi duelin e parë 2:1, ku një herë realizoi sulmuesi i shumë skuadrave të njohura evropiane, derisa dueli i kthimit përfundoi 2:2, ku dy golat për suedezët i realizoi sulmuesi me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina. Në Kampionatin Evropian ndodhen në Grupin E, së bashku me Belgjikën, Italinë dhe Republikën e Irlandës. Nëse Ibra është në formë, atëherë gjithçka është e mundur për Suedinë në këtë Evropian. “Kam pasur një edicion të mirë. Evropiani është një rast i mirë të tregojmë sesa vlejmë. Ne shkojmë me optimizëm të madh dhe të gjitha ndeshjet janë interesante”, theksoi Ibra.

Rezultatet në kualifikueset për Evropian

Austri - Suedi 1:1

Suedi - Rusi 1:1

Suedi - Lihtenshtajn 2:0

Mali i Zi - Suedi 1:1

Moldavi - Suedi 0:2

Suedi - Mali i Zi 3:1

Rusi - Suedi 1:0

Suedi - Austri 1:4

Lihtenshtajn - Suedi 0:2

Suedi - Moldavi 2:0

Orari i Grupit E

13 qershor: Irlandë - Suedi

17 qershor: Itali - Suedi

22 qershor: Suedi - Belgjikë

(Kosova Sot)