Deschamps hedh në gjyq Cantona-n

  • 28 May 2016 - 09:40
Deschamps hedh në gjyq Cantona-n

Polemika te Franca, kur mbeten dy javë nga fillimi i Kampionatit Evropian. Përzgjedhësi i kombëtares franceze, Didier Deschamps nëpërmjet avokatit të tij ka vendosur të hedhë në gjyq një legjendë të futbollit francez, siç është Eric Cantona. E gjithë kjo çështje ka të bëjë me faktin se ish- lojtari i Manchester United-it ka dalë kundër Deschamps-it, duke e kritikuar këtë të fundit se ka lënë jashtë “Euro 2016” dy lojtarë fantastikë, si Karim Benzema dhe Hatem Ben Arfa, për shkak të etnisë së tyre, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Sulmuesi i Real Madrid-it është me origjinë algjeriane, ndërsa ai i Nice me origjinë tuniziane. Pak ditë më parë Cantona ka deklaruar për mediat se Deschamps nuk i ka grumbulluar këta dy lojtarë në Evropian, pasi nuk i cilëson aq francezë sa duhet për të qenë pjesë e kombëtares. Por këto deklarata të 50-vjeçarit nga Marseille nuk i kanë pëlqyer aspak përzgjedhësit të Francës, i cili nëpërmjet avokatit të tij ka vendosur ta çojë në gjyq Cantona-n.

Carlos Bursa, avokati i Deschamps-it në një intervistë për mediat i quajti krejtësisht të pabaza dhe shpifëse deklaratat e Cantona-s. Franca që do të jetë edhe një nga tre skuadrat kundërshtare të Shqipërisë në “Euro 2016”, prej disa ditësh ka bërë publike listën prej 23 futbollistësh.

Nga emrat e përzgjedhur Benzema ka mbetur jashtë pasi futbollisti i Real-it është shndërruar në një çështje shtetërore pas publikimit të skandalit me videon e nxehtë të Mathieu Valbuena-s. Për sa i përket Ben Arfa-s edicioni fantastik që zhvilloi me Nice në Ligue 1 gjatë të cilit shënoi dhe 17 gola nuk i ka mjaftuar 29-vjeçarit për të qenë në zgjedhjet e Deschamps-it.

(Kosova Sot)