Kotori, sfida e radhës për automobilistët tanë

  • 28 May 2016 - 11:09
Kotori, sfida e radhës për automobilistët tanë

Bardhyl Canolli, Valdet Krasniqi, Naim Dashaj, Përparim Dushi, Blerand Hasanaj, Arbnor Musliu, Ismail Smoni dhe Arbër Rexhepi, do të marrin pjesë në garën malore, e cila në këtë fundjavë zhvillohet në Kotor të Malit të Zi

Menjëherë pas largimit të presidentit të FIA-s, Jean Todt, nga vendi ynë, FASK-u është përqendruar në aktivitetin e radhës. Tetë garues tanë, Bardhyl Canolli, Valdet Krasniqi, Naim Dashaj, Përparim Dushi, Blerand Hasanaj, Arbnor Musliu, Ismail Smoni dhe Arbër Rexhepi, do të marrin pjesë në garën malore, e cila në këtë fundjavë zhvillohet në Kotor të Malit të Zi, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Bëhet fjalë për një garë, e cila shquhet për masovitet, por edhe cilësi të madhe. Automobilistët tanë janë shprehur të vetëdijshëm për sfidën që i pret, por njëkohësisht edhe optimistë për rezultate të mira.

“E dimë që Kotori e ka një shteg mjaft sidues, në të cilin përveç makinës cilësore kërkohet edhe teknikë dhe guxim. Besoj që ashtu sikur në Itali, edhe në Kotor do të kemi rezultate të mira dhe të dëshmojmë se Kosova e ka merituar edhe më herët pranimin në FIA”, është shprehur Bardhyl Canolli, i cili ka shtuar se BMW-ja e tij është e gatshme për këtë garë.

Edhe garuesit tjerë presin që nga Kotori të kthehen me rezultate të mira dhe menjëherë pas Kotorit të përqendrohen në kampionatin vendor, i cili vazhdon me garën në Kullë.

(Kosova Sot)