Austriakët e ‘frikshëm’

  • 29 May 2016 - 09:50
Austriakët e ‘frikshëm’

Prezantimi i Kombëtareve për “Euro 2016” - Austria

Austria pothuajse ishte perfekte në kualifikime, me nëntë fitore dhe një barazim. Austriakët befasuan edhe skuadra me përvojë, si Suedinë dhe Rusinë. Kjo bëri që edhe skuadrat e tjera të kenë shumë kujdes nga kjo Përfaqësuese, që u tregua shumë e rrezikshme në kualifikime. “Kosova Sot” ju sjell statistikat, rekordet e historinë e Përfaqësueses austriake

Hera e dytë që marrin pjesë në Kampionatin Evropian

Austria ishte njëra nga skuadrat më të suksesshme në kualifikime për “Francë 2016”. Me një ekip të ri, por shumë të talentuar, austriakët befasuan kundërshtarët e tyre në grupe. Kjo bëri që edhe skuadrat e tjera t’ia kenë frikën. Ylli i tyre është David Alaba, por ata kanë shumë lojtarë cilësorë, prej tyre shumë luajnë në Gjermani. Synimi i tyre është të shkojnë sa më lart dhe me këtë ekip që kanë asgjë nuk është e pamundur. Austria njihet për sulmin dhe mbrojtjen e mirë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Më të suksesshëm në Botërore

Përfaqësuesja e Austrisë ka traditë në futbollin botëror. Ashtu si disa skuadra, kjo Përfaqësuese më shumë ka suksese në Kampionate Botërore sesa Evropiane. Në Kampionate Botërore ka marrë pjesë shtatë herë dhe suksesi më i madh i tyre është në vitin 1954, duke arritur në vendin e tretë. 20 vite më herët ishte renditur në vendin e katërt, duke humbur nga Italia 1:0 në gjysmëfinale dhe nga Gjermania 3:2 në takimin për vendin e tretë. Në Kampionatin Evropian ka marrë pjesë vetëm një herë, në vitin 2008, kur organizuan Evropianin, së bashku me Zvicrën, por nuk arritën të kalojnë fazën e grupeve. Futbollisti me më së shumti paraqitje është Andreas Herozog, me 103 ndeshje, derisa shënuesi më i mirë është Anton Polster me 44 gola. Kapiten është Christian Fuchs, i cili fitoi titullin e Ligës Premiere me Leicester City-n, derisa trajner është Marcel Koller.

 

Image

 

Të jashtëzakonshëm në kualifikime

Austria kishte një kampanjë të jashtëzakonshme në kualifikime. Askush nuk kishte pritur që austriakët do të kishin formë aq të mirë. Kjo përfaqësuese ishte në Grupin G, së bashku me Rusinë, Suedinë, Malin e Zi, Lihtenshtajnin dhe Moldavinë. Ata regjistruan nëntë fitore dhe vetëm një barazim. Madje, barazimin e vetëm e kishin në takimin e parë ndaj Suedisë 1:1 si vendas, e më pas regjistruan nëntë fitore radhazi, duke grumbulluar 28 pikë për të qenë lidere e këtij grupi. Austriakët në dhjetë ndeshje shënuan 22 gola apo 2.2 për ndeshje dhe pësuan vetëm pesë apo 0.5 për ndeshje. Në vendin e dytë në këtë grup ishte Rusia me 20 pikë, derisa e treta u rendit Suedia me 18. Kualifikimet e jashtëzakonshme ka bërë që Austria të mos jetë autsajdere në Evropian, madje shihet si një prej ekipeve që mund të bëjë befasi. Ata ndodhen në Grupin F, së bashku me Hungarinë, Islandën dhe Portugalinë. Kalimi i grupit nuk duket i pamundur për austriakët, por synimet e tyre janë edhe më të mëdha.“Ne kemi ekip të talentuar. Duhet të kombinojmë këtë ekip dhe të kemi gjasat tona. Asnjë skuadër nuk është e dobët, pasi janë kualifikuar në Kampionat Evropian. Ne duhet të mendojmë vetëm për lojën tonë dhe ashtu si në kualifikime të kemi besim në cilësitë tona”, deklaroi trajneri Marcel Koller.

Rezultatet në kualifikueset për Evropian

Austri - Suedi 1:1

Moldavi - Austri 1:2

Austri - Mali i Zi 1:0

Austri - Rusi 1:0

Lihtenshtajn - Austri 0:5

Rusi - Austri 0:1

Austri - Moldavi 1:0

Suedi - Austri 1:4

Mali i Zi - Austri 2:3

Austri - Lihtenshajn 3:0

Orari i Grupit F

14 qershor: Austri - Hungari

18 qershor: Portugali - Austri

22 qershor: Islandë - Austri

(Kosova Sot)