KFOR-i italian dhuron pajisje sportive për klubet e Mitrovicës

  • 29 May 2016 - 10:06
KFOR-i italian dhuron pajisje sportive për klubet e Mitrovicës

Karabinierët italianë, që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, kanë bërë shpërndarjen e rekuizitave sportive dhe topa për klubet sportive të kësaj komune në vlerë prej 12.000.00 Euro.

Me këtë rast, nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, ka falënderuar KFOR-in italian për ndihmën të cilën u kanë ofruar klubeve sportive, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“KFOR-i, përpos që po bënë sigurinë e qytetarëve tanë, po ndihmon popullatën edhe me forma të tjera, sikur që është kjo e ditës së sotme”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i DKRS-së, Tafil Peci, falënderoi përzemërsisht pjesëtarët e karabinierit italian për shpërndarjen e këtyre pajisjeve, për mbështetjen e tyre ndaj klubeve sportive, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së sportit në vend.

Në fund nënkryetari Kamberi i dhuroi një mirënjohje KFOR-it italian si shenjë falënderimi për kontributin e tyre të vazhdueshëm në këtë komunë.

(Kosova Sot)