Sadiku: Jam gati sa herë që ekipi ka nevojë

  • 29 May 2016 - 22:25
Sadiku: Jam gati sa herë që ekipi ka nevojë

Një perlë e tij nga distanca, vulosi fitoren 3-1 të Shqipërisë në miqësoren ndaj Katarit. Për Armando Sadikun ishte goli i katërt me fanellën kuqezi dhe i treti radhazi, kur lojtari gjen rrugën e rrjetës i aktivizuar nga stoli. Sulmuesi i lindur në Elbasan e kalon këtë situatë pa krijuar polemika, por duke treguar se është gjithmonë i gatshëm kur thirret në aksion.

Gjithmonë jam i përgatitur. Sa herë që thotë trajneri, sa herë që ekipi ka nevojë, jam gati. Hyj i përqendruar dhe jam gati të shënoj. Jam i kënaqur që kjo ka ndodhur vazhdimisht në Kombëtare. Janë vendimet e trajnerit. Unë jam profesionist dhe i pranoj. Gjithmonë jam gati sa herë që ai ka nevojë, nuk dua të shtoj asgjë më shumë.

Sulmuesi u shfaq i qetë edhe kur pyetet rreth përzgjedhjes nga trajneri De Biasi së listës finale me 23 lojtarët në Euro 2016, ndërsa ishte optimist për shanset e Kombëtares në turneun në Francë.

A ndihem pjesë e listës me 23? Unë jap kontributin tim. Jam profesionist, i pranoj vendimet e trajnerit. Paraqitja në Euro 2016? Me ndihmën e zotit ta kalojmë grupin. Unë jam optimist dhe të shpresojmë.

Te Sadiku, kualitetin dhe instiktin vrasës përpara portës e ka ndihmuar edhe aktivizimi në muajt e fundit. Sulmuesi gjen momentin të bëjë edhe humor me Zurich. Fituesit e Kupës së Zvicrës e larguan si të panevojshëm në janar, ndërsa ranë nga kategoria.

Kam pasur minuta në këmbë, nga janari deri në fund të sezonit i kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe jam në formë. Tani duhet të përgatitemi mirë. Zurich fitoi kupën? Me katër ndeshje që jam aktivizuar në Kupë, kam dhënë edhe unë kontributin tim në atë arritje dhe jam i kënaqur, sepse ndoshta përfitoj edhe unë premio. A do kthehem te Zurich? Nuk e di, do të shohim pasi të diskutoj edhe me menaxherin tim. Për momentin jam i përqendruar vetëm te Kombëtarja.

(Kosova Sot)