Hungaria për befasi

  • 30 May 2016 - 10:43
Hungaria për befasi

Prezantimi i Kombëtareve për “Euro 2016” - Hungaria

Njëra nga skuadrat më të dobëta në Evropian llogaritet Hungaria. Hungarezët kanë traditë në futbollin botëror, por në Evropianin “Francë 2016”  nuk shihen si ekip i rrezikshëm, megjithatë  janë në gjendje të befasojnë në çdo moment. “Kosova Sot” ju sjell statistikat, rekordet e historinë e Përfaqësues hungareze

Ferenc Puskas, legjendë e kësaj Përfaqësuese

Njëra nga Kombëtaret që ka pak gjasa të arrijë rezultate pozitive në Evropian është Hungaria. Kjo përfaqësuese arriti në Evropian, duke u renditur e treta në kualifikime në grupin e saj, derisa në “Play-off” eliminuan Norvegjinë. Hungarezët nuk kanë shumë emra të mëdhenj në skuadër, megjithatë janë të gatshëm të bëjnë befasi. Në grup do të përballen me Austrinë, Portugalinë dhe Islandën. Portugezët dhe austriakët shihen favoritë në këtë grup, por edhe hungarezët dhe islandezët do të kërkojnë gjasat e tyre, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Traditë në futbollin botëror

Hungaria ka traditë dhe është e respektueshme në futbollin botëror, duke fituar tri herë Lojërat Olimpike, derisa dy herë ishin nënkampionë botërorë në nëntë pjesëmarrje, në vitin 1938 dhe 1954, derisa në Evropianin e vitit 1964 përfunduan në pozitën e tretë, që është suksesi më i madh i tyre në Evropian. Hungaria ka pasur revolucion në futboll pas Luftës së Dytë Botërore, duke aplikuar sistemin ‘total futboll’ dhe duke dominuar në futbollin ndërkombëtar me ekipin e artë, duke përfshirë këtu edhe legjendën Ferenc Puskas, top shënuesi i shekullit 20, e tani FIFA ndan çmimin Puskas për shënuesin më të mirë. Në vitin 1954 ishin në vendin e dytë në renditjen e FIFA-s me 2166 pikë dhe kishin një rekord të pabesueshëm, duke mos pësuar asnjë humbje në 31 ndeshje për katër vjet. Futbollisti me më së shumti paraqitje është Gabor Kiraly me 102 ndeshje, derisa shënuesi më i mirë Ferenc Puskas me 84 gola. Kapiten është Balazs Dzsudzsak, kurse trajner Bernd Storck.

Kishin grup të lehtë

Në kualifikimet për “Euro 2016”, Hungaria ndodhej në Grupin F, dhe nuk kishte kundërshtarë shumë të vështirë, si Irlandën e Veriut, Rumaninë, Finlandën, Ishujt Faroe dhe Greqinë. Hungarezët u renditën në vendin e parë me 16 pikë, derisa lidere e grupit përfundoi Irlanda e Veriut me 21 pikë, kurse e dyta ishte Rumania me 20 sosh. Hungarezët në dhjetë ndeshje kishin katër fitore, katër barazime dhe dy humbje, duke shënuar 11 gola apo 1.1 për ndeshje dhe pësuan nëntë. Vendi i tretë i mundësoi Hungarisë të luajë në “Play-off”, ku u ballafaqua me Norvegjinë. Në takimin e parë fitoi Hungaria 1:0, derisa në atë të kthimit 2:1 dhe kjo i dha të drejtën të kualifikohet në Francë. Kështu hungarezët u kualifikuan në Evropian pas 44 vjetësh. Në “Francë 2016”, Hungaria ndodhet në Grupin F, së bashku me Austrinë, Portugalinë dhe Islandën, e gjasat për t’u kualifikuar tutje nuk janë shumë të mëdha, megjithatë, hungarezët shpresojnë të bëjnë befasi dhe së paku t’i kalojnë grupet.

Rezultatet në kualifikueset për Evropian

 

Hungari - Irlandë V. 1:2

Rumani - Hungari 1:1

Ishujt F. - Hungari 0:1

Hungari - Greqi 0:0

Hungari - Finlandë 1:0

Finlandë - Hungari 0:1

Hungari - Rumani 0:0

Hungari - Ishujt F. 2:1

Irlandë V. - Hungari 1:1

Greqi - Hungari 4:3

Orari i Grupit F

14 qershor: Austri - Hungari

18 qershor: Islandë - Hungari

22 qershor: Hungari - Portugali

(Kosova Sot)