Rummenigge: Lewandowski nuk largohet

  • 30 May 2016 - 10:46
Rummenigge: Lewandowski nuk largohet

Me Bayern-in nuk ka lojëra fjalësh! Rekordmenët gjermanë dinë të mbajnë balancat e klubit dhe bëjnë për vete lojtarët që dëshirojnë. Kampionët e Gjermanisë nuk e kanë ndier aspak presionin e agjentit të Robert Lewandowski-t. Gjatë një interviste për “Kicker”, Karl Heinz Rummenigge ia ka bërë të qartë si Lewandowski-t, agjentit të tij dhe Real-it, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Agjenti konfirmon bisedimet e para për transferimin e Lewandowski-t te Real-i. Për këtë, agjenti ka informuar edhe klubin bavarez, në mënyrë që të arrihet marrëveshja mes palëve. “Real-i i Madridit erdhi te ne për të na takuar. I dëgjuam me vëmendje. Të gjithë e dimë që Real-i është një klub i madh. Për këtë takim, me spanjollët kemi informuar edhe Bayern-in e Munihut”, u shpreh agjenti i futbollistit për mediet gjermane. Por, Rummenigge është i qartë.

“Për një gjë të jeni të sigurt. Robert Lewandowski do të luajë me Bayern-in edicionin e ardhshëm. Për këtë të jeni të sigurt dhe të mos i shkojë mendja askujt te ndonjë largim”, nënvizoi Rummenigge për “Kicker” duke shtuar: “Vendimi është zyrtar: Ne nuk do ta japim Lewandowski-n, pavarësisht se çfarë oferte prezantohet. Nuk ka çmim për shërbimet e lojtarit tonë. Ai ka një kontratë deri në vitin 2019 me Bayern-in. Ne nuk bëhemi pjesë e lojërave të menaxherëve të tij. Klubi ka plan dhe strategji të qartë për kontratat e lojtarëve. Bayern-i ka të gjitha kushtet dhe fuqinë për t’i mbajtur lojtarët që do. Askush nuk mund të luajë me zjarrin, pasi në fund do të digjet”, përfundoi bosi i Bayern-it.

(Kosova Sot)