Pa gjumë...Real-i në “qiellin e 11-të”

  • 30 May 2016 - 10:58
Pa gjumë...Real-i në “qiellin e 11-të”

Heronjtë festuan me tifozët e tyre në Madrid

Djemtë e Zinedin Zidane-s festuan në Milano përpara se të merrnin aeroplanin dhe të riktheheshin menjëherë në shtëpi për t’u treguar medaljet tifozëve të shumtë në Madrid. Shiu nuk pengoi aspak festën, as trajnerin Zidane, i cili u pa duke festuar si të gjithë të tjerët

Atletico pa fat ndaj Real-it

Në futboll nuk fitojnë gjithmonë më të mirët. Nganjëherë të eliminosh dy skuadrat më të mira për momentin në Evropë, Bayern Munich-un dhe Barcelona-n, nuk mjafton, dhe këtë gjë e di shumë mirë Atletico Madrid-i që, edhe pse ndoshta e meritoi ta fitonte finalen ndaj Real Madrid-it, në pikën më kulmore u braktis nga fati. Është e vërtetë që  në dy ndeshjet ndaj Bayern-it të Pep Guardiola-s në gjysmëfinale djemtë e Diego Simeone-s luajtën shëmtuar, duke shfrytëzuar në maksimum ato pak raste që krijuan, por në futboll ka shumë raste në të cilat nuk fiton skuadra që luan më bukur. Dëshira e madhe për të fituar për herë të parë në historinë e klubit trofeun e Uefa Champions League bëri që Atletico të dilte nga vetja në finalen e “San Siro”-s, duke luajtur për pjesën më të madhe të kohës në sulm, por ndonjëherë sulmi më i mirë është mbrojtja, ajo mbrojtje që ka qenë pika më e fortë e “Los Colchoneros” dhe që papritur u shndërrua në çelësin e suksesit të “Mbretërve”. Në Milano me pak fjalë, Real-i bëri Atletico-n.  Ai gol i shpejtë i Sergio Ramos, ndryshoi fatin e kësaj sfide, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

 

Image

 

Festa ka nisur që nga Milano

Skuadra e Real Madrid-it  është rikthyer në kryeqytetin spanjoll pas triumfit në finalen e Milanos dhe festa ka rinisur me paradën në rrugët kryesore të Madridit ku është prezantuar trofeu i 11 i Champions-it. Qindra mijëra tifozë, shumica prej të cilëve nuk kishin asnjë orë gjumë për shkak të festës së të shtunës mbrëma, kanë mirëpritur heronjtë e tyre dhe kanë vazhduar festën në orët e para të së dielës. Djemtë e Zinedin Zidane-s festuan në Milano përpara se të merrnin aeroplanin dhe të riktheheshin menjëherë në shtëpi për t’u treguar medaljet tifozëve të shumtë në Madrid. Shiu nuk pengoi aspak festën, as trajnerin Zidane, i cili u pa duke festuar si të gjithë të tjerët.

Image

 

Perez konfirmon Zidane-n

Zinedine Zidane konfirmohet në stolin e Real Madrid-it. Ka qenë vetë presidenti i skuadrës madrilene ai, që ka thënë se francezi do të vazhdojë të drejtojë klubin. “Zidane është pjesë e historisë së Real-it. Ka fituar Champions-in si lojtar, si zëvendëstrajner dhe tani si trajner. Mes tij dhe klubit ka një histori të madhe dashurie, një histori të lumtur. Qëndron përkrah meje që prej vitit 2001. Nënshkruam një kontratë deri në vitin 2018 dhe në këtë aspekt nuk shikoj asnjë problem”, ka deklaruar Perez. Trajneri francez, që pasoi në këtë detyrë Rafael Benitez-in, duke e rikthyer skuadrën në majën e Evropës, do të jetë në krye të stolit “galaktik” edhe gjatë dy edicioneve të ardhshme. Me filozofinë e tij, ai ka fituar simpatinë e pjesës më të madhe të skuadrës, duke arritur të riparojë në kohë rekord krisjet që kishin filluar të ndiheshin në dhomën e zhveshjes. “Përqafimi me Perez? I thashë faleminderit! Faleminderit, sepse më dha shansin të drejtoj këtë ekip. E kisha ëndërruar këtë moment. Por po, e kisha imagjinuar kur punon me një ekip të tillë. E fituam me forcë dhe punë. Luftuam deri në fund. E meritojnë të gjithë. E të mendosh që punuam me këtë skuadër vetëm 5 muajt e fundit. Të fitosh një gjë kaq të rëndësishme sa Champions-i, duhet punë e madhe dhe jo vetëm për këto pesë muaj, por që nga fillimi. Unë pata fatin që të jem në pesë muajt e fundit dhe të fitoj diçka kaq të rëndësishme”, ka theksuar Zidane. Ndërkohë, Sergio Ramos ka deklaruar se ky trofe është shpërblim për punën e madhe që ka bërë skuadra e tij: “Ky është shpërblimi për punën e madhe që e kemi bërë. E dinim se ky ishte një rast unik që të shkruajmë historinë dhe pas disa rrënjëve dhe ngritjeve ky është shpërblimi”. Ndërkaq, Cristiano Ronaldo është shprehur shumë i lumtur, ndërsa ka theksuar se e ka ditur se do të jetë e vështirë: “Vërtet jemi të lumtur, finalet janë gjithmonë të vështira. Ekipi ishte i mrekullueshëm dhe sakrifikoi shumë, është mbresëlënëse. E dija se do ta shënoja penalltinë fituese, kisha vetëbesim. Jam shumë i lumtur, dua të ndajë këtë trofe me të gjithë tifozët e Real-it”.

Image

 

Simeone: Mund të largohem nga Atletico

Diego Simeone nuk e ka mohuar largimin nga Atletico Madrid-i, pasi trajneri argjentinas ka deklaruar se do të rishikojë pozicionin e tij në klub pasi humbi finalen e dytë të Champions-it në tri edicionet e fundit. “Kanë qenë tre vjet shumë të bukur, por nuk jam aspak i lumtur. Nuk e di cila humbje më lëndon më shumë, kjo finale apo ajo e para dy vjetësh. A do të largohem? Do të reflektoj në këtë pikë”, ka thënë Simeone.  Argjentinasi refuzoi të fajësonte fatin për humbjen në finale: “Nuk besoj në të tilla gjëra. Real-i ishte superior dhe më duhet ta përgëzoj. Ata luajtën shumë mirë dhe shfrytëzuan gabimet tona. Skuadra që fiton, është gjithmonë më e mirë se ajo që humb”. Simeone  i ka përgëzuar lojtarët e tij për paraqitjen: “Lojtarët ishin të jashtëzakonshëm. Ju thashë që të mos qanin pas ndeshjes, sepse kur ju jepni gjithçka nga vetja, atëherë nuk ka nevojë për lot”.  Kapiteni i Atletico-s, Gabi, ka insistuar se ekipi i tij do të rikthehet, pas humbjes në finalen e Champions-it.  “Është e rëndësishme që ne ishim këtu dhe jam i bindur se ky ekip do të rikthehet për ta fituar Ligën e Kampionëve, sepse e meriton. Ne duhet të jemi krenarë me këtë ekip. Kjo është bukuria dhe shëmtia e futbollit”. 

(Kosova Sot)