Dy norma olimpike, të konfirmuara

  • 31 May 2016 - 11:05
Dy norma olimpike, të konfirmuara

Edhe zyrtarisht, xhudo në Lojërat Olimpike “Rio 2016”

 “Realisht, duhet të kthehemi me medalje nga Rio. Natyrisht, Majlinda synon të artën, Nora është në formën më të mirë në karrierë, e nuk do të ishte fare befasi nëse do të jetë njëra prej medalisteve në kategorinë e saj”, ka theksuar Agron Kuka, numri një i Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK)
Vlera e sportit të një shteti matet me normat e fituara për Olimpiadë

Majlinda Kelmendi (52 kg) dhe Nora Gjakova (57 kg) të hënën e kanë marrë edhe konfirmimin zyrtar për sigurimin e normës olimpike në xhudo për Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Kelmendi javë më parë është stolisur me titullin e kampionit të Evropës, kurse Gjakova e ka fituar të bronztën në po të njëjtën garë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Distria Krasniqi, në pritje të ftesës zyrtare nga KON-i

Përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka deklaruar se është diçka e jashtëzakonshme që të kesh dy norma olimpike nga sporti i xhudos. “Normat olimpike janë të konfirmuara, e për ftesë jemi ende në pritje. Kosova me dy norma në xhudo me të vërtetë është një sukses i madh. Vlera e sportit të një shteti matet me normat e fituara për Olimpiadë”, është shprehur Kuka, i cili më pas ka shtuar: “Jemi në Pejë, po e përpunojmë agjendën deri në Rio saktësisht. Pra, edhe në një garë do të marrim pjesë, por ende nuk e di në cilën. Deri kah mesi i muajit qershor përgatitjet vazhdojnë në Pejë, ndërsa më pas ato do të vazhdojnë në jug të Francës në nivel të shteteve, si Franca, Brazili etj. Pastaj do të zhvendosemi edhe në Slloveni”. Ndërkohë, numri një i Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), Agron Kuka sigurimin e dy normave nga sporti që ai e udhëheq e ka vlerësuar po ashtu si një të arritur të madhe: “Kjo ka qenë më e mira e mundshme, është sukses i madh që Nora ka arritur kualifikimin direkt, sepse për Majlindën tashmë është pritur një gjë e tillë”. Kryetari i FXHK-së është shprehur optimist sa i përket Lojërave Olimpike se mund të kthehen me medalje, e cila do të ishte e para në histori të shtetit të Kosovës. “Realisht, duhet të kthehemi me medalje nga Rio. Natyrisht, Majlinda synon të artën, Nora është në formën më të mirë në karrierë, e nuk do të ishte fare befasi nëse do të jetë njëra prej medalisteve në kategorinë e saj. Edhe pse me ftesë (ftesën e ka prej IJF-së, vetëm pritet konfirmim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) Distria Krasniqi  po ashtu ka gjasa të mira të jetë njëra nga medalistet”, ka përfunduar numri 1 i FXHK-së. 

(Kosova Sot)