Simeone të qëndrojë në krye të bankinës

  • 31 May 2016 - 11:17
Simeone të qëndrojë në krye të bankinës

Futbollistët e Atletico Madrid-it nuk e dëshirojnë largimin e Diego Pablo Simeone-s. Trajneri argjentinas, pas finales së Champions League, bëri një deklaratë të tillë, që la të nënkuptohej se ai edhe mund të largohej nga klubi spanjoll.

Futbollisti që u shfaq më i qartë në këtë çështje ishte Thiago Mendes, i cili theksoi se nuk kishte asnjë dyshim që Simeone do të vazhdojë të jetë në stolin e “Los Colchoneros”, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Ndërsa Antonine Griezmann theksoi se Atletico është në këto nivele falë meritës së Simeone-s. “Simeone na dha gjithçka. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Kemi arritur deri këtu për meritë të tij. Nuk na ka folur për mundësinë e largimit”, ka deklaruar Griezmann.

“Ne futbollistët duam që trajneri ynë të qëndrojë përgjithmonë”, ka shtuar Carrasco. Ndërkaq, Koke deklaroi se, shpreson që Simeone të vijojë punën për realizimin e projektit të nisur ndërsa shtoi se, sido që të jetë vendimi i tij, ata do ta respektojnë atë.

(Kosova Sot)