Ish – kampioni i Xhudos, trafikant i shqiptarëve

  • 31 May 2016 - 17:19
Ish – kampioni i Xhudos, trafikant i shqiptarëve

Dy ditë pas shpëtimit të 18 emigrantëve shqiptarë që po përpiqeshin të hynin ilegalisht në Britaninë e Madhe nga kanali i La Manshit, autoritetet britanike akuzojnë dy vendas për trafikim të emigrantëve në vendin ishullor.

Një prej tyre është një ish – kampion i Xhudos, i cili ka garuar për flamurin britanik edhe në kompeticionet europiane.

Robert Stilwell, 33 – vjeç dhe një bashkëkombas i tij dolën përparë gjykatësit, me akuzën e trafikut të paligjshëm të emigrantëve.

Të dielën, 18 emigrantë shqiptarë u shpëtuan nga roja bregdetare britanike, pasi gomonia me të cilën ata po udhëtonin nisi të fundosej.

Sipas mediave britanike, shqiptarët kanë kërkuar ndihmë tek të afërmit e tyre që ndodheshin në Calais, në Francë. Këta të fundit kishin lajmëruar policinë për ekzistencën e gomones.

Të hënën mediat britanike dhanë alarmin për numrin e madh të emigrantëve që po hyjnë ilegalisht në ishull. Ekspertët vendas kanë paralajmëruar autoritetet për gjendjen e vështirë në kufijtë e Britanisë së Madhe dhe për numërin e vogël të forcave detare që patrullojnë përgjatë kufirit.

Ata thanë se nëse situata vijon të jetë e tillë, kanali i La Manshit shumë shpejt do t’i përngjajë ujërave të Mesdheut, ku qindra emigrantë kanë humbur jetën.

(Kosova Sot)