Përzgjedhja e De Biasit, ja lojtarët që nuk shkojnë në Francë

  • 31 May 2016 - 21:53
Përzgjedhja e De Biasit, ja lojtarët që nuk shkojnë në Francë

Një moment i sikletshëm për italianin, që grumbulloi 27 futbollistë, por tashmë ka ardhur momenti që të bëjë skarcimet e nevojshme.

“Do të vendos pas seancës së fundit stërvitore. Kur do të më duhet t’u them atyre lojtarëve që nuk do të jenë me ne në Francë, do të jetë një nga momentet për të cilat do të më vijë shumë keq. Zgjedhja do të jetë e kujdesshme, e kuruar dhe e dhimbshme, pasi secili prej këtyre që është këtu, është si të ishte fëmija im dhe e meriton që të jetë në Europian”, pat thënë trajneri kuqezi.

Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares tregojnë se italiani më shumë është i dyzuar për dy emra nga katër që duhet të largojë.

Në listë janë gjashtë lojtarë të rrezikuar, ndërsa ata që kanë më pak shanse për t’u bërë pjesë e 23 lojtarëve në pjesëmarrjen historike në Europian janë mbrojtësi Frederik Veseli dhe mesfushori Herolind Shala.

I pari vetëm dje iu bashkua Kombëtares, për shkak se në javën e fundit ka qenë i angazhuar me Luganon në Superligën zvicerane.

Në listën paraprake, De Biazi grumbulloi 9 mbrojtës, por gjasat janë që të mbajë vetëm 7. Veseli nuk është llogaritur kurrë si titullar, por thjesht alternativë. Nisur nga rivaliteti i madh për një vend në prapavijë, por edhe mbipopullimi për çdo pozicion në këtë repart, për mbrojtësin e krahut nuk ka vend.

E njëjta gjë mund të thuhet për Herolind Shalën, që edhe pse është grumbulluar sistematikisht nga De Biazi, nuk është aktivizuar në takimet eliminatore.

Të tjerët – Berat Gjimshiti dhe Amir Rrahmani duket sikur luftojnë për një vend. Njëri prej tyre do të rikthehet në shtëpi, por nëse bazohemi te forma që po kalojnë, pa diskutim Rrahmani ka më shumë shanse për të qenë në Europian. Ai vjen pas një kampionati të shkëlqyer me RNK Splitin, ndërsa Gjimshiti vetëm në fund të sezonit u aktivizua tek Atalanta.

De Biazi nuk aktivizoi asnjë prej tyre në miqë­ soren ndaj Katarit, duke lënë të kuptohet se planet i bën pa ata. Ndoshta në fund mund të “fitojë” eksperienca e Gjimshitit, por kjo mbetet për t’u parë sot. Ndërsa lojtarë të tjerë që rrezikojnë seriozisht të jenë jashtë liste janë Milot Rashica dhe Andi Lila.

I pari që konsiderohet si talent nuk shihet nga De Biazi si një alternativë serioze në Europian. Nga ana tjetër, nëse trajneri vendos të heqë dy mesfushorë nga lista, edhe Lila rrezikon.

Mbrojtësi që është përdorur në mesfushë është në balotazh me Burim Kukelin, por ky i fundit ka më shumë shanse për të qëndruar, pasi është i preferuari i De Biazit në rolin e shkatërruesit.

MË TË RREZIKUARIT

Frederik Veseli – Mbrojtësi i Luganos ka më pak shanse se të gjithë për të qenë pjesë e listës. Në pozicion ku luan ka konkurrencë të fortë dhe mbipopullim. Vetëm dje iu bashkua Kombëtares.

Herolind Shala – Mesfushori me tipare sulmuese u provua në 20 minutat e fundit në miqësoren ndaj Katarit. Është provuar nga De Biazi vetëm në ndeshje testuese. Ka vetëm 20% shanse për të qenë në 23-­she.

Berat Gjimshiti – Mosaktivizimi në miqësoren ndaj Katarit ishte domethënës. Mbrojtësi vjen nga një sezon ku më shumë ka qenë në tribunë dhe stol, sesa është aktivizuar. Pak shanse të jetë në listë.

Amir Rrahmani – Mbrojtësi vjen nga një sezon i shkëlqyer, madje është shpallur edhe në formacionin e vitit në Kroaci. Duket se është në balotazh me Gjimshitin për të qëndruar, por, ashtu si ky i fundit, edhe Rrahmani nuk u aktivizua në miqësoren ndaj Katarit.

Milot Rashica – Mesfushori i talentuar u provua të dielën, por edhe pse pritshmëritë janë të mëdha, ende nuk mund të thuhet se është përshtatur. Gjithsesi, ka shanse të mira për të qenë në listë.

Andi Lila – U provua mesfushor qendre në ndeshjen e fundit, por nëse De Biazi zgjedh të largojë dy lojtarë në këtë repart, atëherë gjasat janë që të jetë në balotazh me Kukelin. Ky i fundit preferohet nga De Biazi dhe zor se italiani do ta lërë jashtë listës kosovarin.

(Kosova Sot)