Pak gola në këtë Evropian

  • 25 June 2016 - 08:51
Pak gola në këtë Evropian

Faza e grupeve të Evropianit u la pas dhe tashmë është koha e bërjes së bilanceve për aspekte të ndryshme të lojës siç është driblimi. Në këtë pikë ajo që kryeson është Anglia me 19.7 të tilla e ndjekur nga Gjermania, Sllovakia dhe Rumania. Për sa u përket futbollistëve, ai që kryeson është Gareth Bale me 13 driblime në tre ndeshje. Uellsiani është ai që kryeson edhe për sa u përket gjuajtjeve në portë me një mesatare prej katër gjuajtjesh për ndeshje. Në këtë fazë të parë të Evropianit janë shënuar 69 gola, me një mesatare prej 1.92 golash për ndeshje, kuota më e ulët në fazën e grupeve të këtij kompeticioni që nga viti 1992 kur mesatarja ishte 1.75 gola për ndeshje. Ukraina ishte e vetmja skuadër që nuk shënoi gola në këtë Evropian, ndërsa Shqipëria, Suedia dhe Austria ia dolën mbanë të shënonin vetëm një gol.

Italia gjuajti pak në portë Kompaktësia taktike e skuadrave vërtetohet edhe nga një e dhënë tjetër. Vetëm 10.1 % e golave kanë ardhur si pasojë e aksioneve të kundërsulmit, 40.6 % e tyre janë realizuar nga goditjet standarde. Zlatan Ibrahimoviq ishte ai që bëri bujë për rendimentin shumë të dobët në sulm në këtë Evropian, asnjë gol dhe vetëm një gjuajtje në portë në 270 minuta, por as Italia nuk ka bërë më mirë. Në tri ndeshje, Italia gjuajti 24 herë në portë dhe shënoi tre gola, vetëm Irlanda e Veriut dhe Islanda kanë bërë më pak tentativa se Italia në portat kundërshtare, respektivisht 17 dhe 21 gjuajtje në portë. Italia së bashku me Rumaninë dhe Shqipërinë mbajnë vendin e parë për sa u përket kartonëve të verdhë, dhjetë të tilla secila, por skuadra jonë kombëtare ka në bilancin e saj edhe 1 karton të kuq. Për sa u përket numrit të faulleve, Rumania është e para me 52 të tilla, e ndjekur nga "Të kaltrit" e Antonio Conte-s me 49.

(Kosova Sot)