Zvicra e shqiptarëve përballë Polonisë

  • 25 June 2016 - 08:52
Zvicra e shqiptarëve përballë Polonisë

Përfaqësuesja e Zvicrës, ku paraqiten gjashtë futbollistë shqiptarë, prej tyre pesë titullarë do të ballafaqohet me Poloninë në 1/8 e finaleve të Kampionatit Evropian. Kjo pritet të jetë një përballje mjaft interesante, derisa dueli tjetër është në mes të Uellsit dhe Irlandës së Veriut. Përballja më interesante shihet në mes të Kroacisë dhe Portugalisë. 

Kampionati Evropian i Futbollit ka hyrë në fazën eliminuese me 1/8 që dhuron ndeshje mjaft spektakolare. Shumica e Kombëtareve favorite kanë avancuar në këtë fazë, që pritet të jetë mjaft interesante me duele spektakolare, ku pa dyshim takimi më interesant është në mes të Spanjës dhe Italisë, që zhvillohet të hënën, por edhe të shtunën (sot) do të zhvillohen ndeshje mjaft interesante. Zvicra e futbollistëve shqiptarë do të përballet me Poloninë e Robert Lewandowski-t, kurse sfidë mjaft interesante është në mes Uellit dhe Irlandës së Veriut. KroaciPortugali është një super ndeshje, me kroatët që kanë shkëlqyer në fazën e grupeve, derisa portugezët shpresojnë që Cristiano Ronaldo të vazhdojë me gola. 

Shaqiri vs. Lewandowski Takimi në mes të Zvicrës dhe Polonisë sjell edhe duelin në vete në mes Xherdan Shaqirit dhe Lewandowski-t. Por, Shaqiri çuditërisht ishte shprehur se do të dëshironte të ballafaqohej me Gjermaninë. "Kam dashur të për ballemi me Gjermaninë, por edhe Polonia ka një ekip mjaft cilësor. Ne kemi arritur qëllimin e parë, që ishte të kualifikohemi në këtë fazë. Tani ndeshjet janë më të vështira. Duhet të tregojmë lojë shumë të mirë. Lojë ekipore dhe joindividuale", ka thënë Shaqiri. Trajneri i helvetikëve, Vladimir Petkoviq, e mbron futbollistin shqiptar nga kritikat. "Futbollistët individualë po kanë shumë probleme në këtë turne. Jam shumë i lumtur që Shaqiri nuk është një lojtar individualist në këtë moment, por punon për ekipin. Ai jep gjithçka për skuadrën dhe kështu duhet të vazhdojë. Kur ekipi të shkojë përpara, çdo lojtar do të përfitojë", deklaroi Petkoviq. Robert Lewandowski i ka porositur bashkëlojtarët e tij te Polonia që të kenë kujdes nga klasi i Granit Xhakës. Sulmuesi polak ka thënë se Zvicra do të jetë kundërshtar mjaft i fortë për polakët, dhe se Xhaka është lojtari kryesor i tyre. "Zvicra është favorite. Ata janë një kundërshtar i vështirë për t'u mposhtur. Kanë futbollistë me kualitet të lartë, sidomos Granit Xhaka. Ai është një futbollit mjaft i talentuar, dominues dhe i fortë fizikisht. Duhet të bëjmë kujdes nga ai dhe Zvicra, por na duhet t'i gjejmë dobësitë e tyre", ka thënë Lewandowski. Trajneri i Polonisë, Adam Nawalka ka thënë se sulmuesi i Bayern-it ka shumë ndikim në ekipin e tij. "Ai ka shumë ndikim në mënyrën sesi po luan. Ai është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Ai ka shumë energji dhe na jep shumë fuqi", theksoi Nawalka. 

Dueli i debutuesve Ndeshje mjaft interesante do të jetë në mes dy skuadrave britanike, Uellsit dhe Irlandës së Veriut. Kjo ishte paraqitja e parë e tyre në një Kampionat Evropian dhe për herë të parë arritën që të kalojnë fazën e grupeve. Lider i Uellsit ka qenë Gareth Bale, me tre gola në këtë Evropian. "Sigurisht se kemi ardhur në turne për një arsye. Të fitojmë. Jo të luajmë tri lojë dhe të kthehemi në shtëpi. Ne duam të provojmë dhe të fitojmë turneun. Fokusi jonë tash është ndaj Irlandës së Veriut. Ne dëshirojmë të hymë në histori dhe rrugën që e kemi nisur nuk dëshirojmë të kthehemi prapa", ka thënë Bale për "BBC". Fituesi i duelit Uellsi-Irlandë Veriore luan me fituesin e duelit HungariBelgjikë. Por, Irlanda Veriore bën befasi në këtë Evropian dhe me befasi shpresojnë të vazhdojnë. Aaron Hughes thotë se Uellsi nuk e ka vetëm një futbollist cilësor si Bale. "Gareth Bale për momentin është futbollisti më në formë. Një top-lojtar si Bale është shumë i rëndësishëm. Nuk mund ta ndalni një me një. E tërë skuadra duhet të ndihmojë. Por, Uellsi ka edhe futbollistë tjerë të rëndësishëm, andaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm", theksoi ai. 

Ronaldo kundër kroatëve Kroacia ishte njëra nga skuadrat më të forta në grupe. Kroatët arritën të mundin Turqinë dhe Spanjën, derisa barazuan me Çekinë. Me triumfin ndaj spanjollëve, ata treguan se janë të aftë të mposhtin çdo skuadër në këtë Evropian. Sulmuesi Nikola Kaliniq u shpreh se luajtën me zemër ndaj Spanjës dhe beson se mund të shkojnë larg. "Ishim shumë të sigurt, kjo është një arritje e madhe. Treguam se mund të luajmë kundër çdo kujt, edhe kundër Spanjës. Ndeshja ndryshoi pas rezultati 1:1. Ne fillim vuajmë, por më pas kishim rastet tona dhe ky sukses është i merituar. Ne kemi mundësi për të shkuar larg në këtë garë", ka thënë Kaliniq. Skuadra e drejtuar nga Ante Çaçiq ka tetë futbollistë të ngarkuar me kartonë të verdhë mes të cilëve edhe kapiteni Srna e Ivan Perishiq, ndërsa te Portugalia rrezikojnë vetëm Quaresma dhe Pepe. Te Belgjika, katër janë lojtarët qe kanë kartonë të verdhë po aq sa edhe Franca. Sulmuesi i Portugalisë, Cristiano Ronaldo ka thënë se në këtë fazë iu nevojitet edhe pak fat. "Mendoj se po. Portugalia ka lojtarë të mëdhenj që luajnë në ligat më të forta në botë. Tash duhet të jemi të bashkuar në fushë. Kemi lojtarë të mirë dhe trajner të mirë si Fernando Santos, andaj duhet të besojmë në veten tonë", u shpreh Ronaldo. Portugalia arriti që të kalojë fazën e grupeve me tri barazime në tri ndeshje, duke mos arritur asnjë fitore, por nuk pësoi asnjë humbje.  

(Kosova Sot)