Kuriozitetet e fazës së grupeve

  • 25 June 2016 - 09:00
Kuriozitetet e fazës së grupeve

Për herë të parë Evropiani me 24 skuadra.

Dallimi në mes Kombëtareve të mëdha dhe të vogla pothuajse është shkrirë tërësisht, pasi në fazën e grupeve nuk kishte fitore bindëse. Në këtë fazë u thyen shumë rekorde, derisa shumë lojtarë shkëlqyen, por edhe nga disa lojtarë që është pritur, mbetën nën hije 

Me përfundimin e fazës së grupeve të Kampionatit Evropian në Francë, UEFA me krenari vuri në pah një statistikë, asnjë ekip nuk mundi të fitonte tre ndeshje radhazi. As kampionët e botës në fuqi të Gjermanisë, e sigurisht as dy herë kampionët në fuqi të Evropës, Spanja, që u kualifikua për më tej vetëm si e dyta në grup. Mungesa e të ashtuquajturave "fitore të lehta" ofron një triumf "drejtësie" për UEFA-n, e cila bëri një ndryshim historik gjatë këtij edicioni të Evropianit duke shtuar tetë ekipe më shumë e duke e kthyer këtë eveniment me 24 ekipe.

Debutimi i pesë Kombëtareve Pjesë e gëzimit të këtij zgjerimi të Kampionatit Evropian ka qenë pa diskutim pjesëmarrja e pesë ekipeve të reja debutuese, të cilët faktikisht rezultuan se nuk ishin thjesht për "piknik" në Francë, por shumë më tepër sesa kaq. E sigurisht gëzimi i tifozëve të tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi shumica shijuan edhe kënaqësinë e të kualifikuarit për më tej, për herë të parë në një kompeticion të këtyre përmasave. Vetëm Shqipëria nuk mundi të qëndronte më gjatë në "Francë 2016", pasi Islanda, Irlanda e Veriut, Sllovakia dhe Uellsi do të vijojnë aventurën në fazën e 16-sheve. Uellsi madje rezulton si ekipi që ka shënuar më shumë gola, së bashku me Hungarinë, me nga gjashtë të tillë. U desh raundi i fundit i ndeshjeve në grupe, e madje ndeshja e 34-t e këtij kompeticioni, për të parë atë që konsiderohet si sfida më kaotike e zhvilluar deri më tani. Bëhet fjalë për 'triller'-in prej gjashtë golash mes Portugalisë dhe Hungarisë. Në këtë ndeshje u shënua më shumë se trefishi i golave mesatarë në një ndeshje të këtij Evropiani (1.92) që po zhvillohet në Francë, që është edhe mesatarja më e ulët që prej Evropianit të vitit 1992, ku merrnin pjesë vetëm tetë ekipe. Barazimi 3:3 mes Portugalisë dhe Hungarisë ishte një sfidë tepër e hapur, ndryshe nga të tjerat që kanë qenë të forta dhe të fokusuara më së shumti në mbrojtje. Cristiano Ronaldo rigjeti më në fund golin, madje shënoi dy të tillë, në një moment kur gjatë asaj sfide të së mërkurës u shënuan plot katër gola në 17 minuta. Portugezi i Realit të Madridit regjistroi edhe dy rekorde: atë të të shënuarit më shumë gola në Kampionatet Evropiane, me 17 të tillë, dhe atë të të shënuarit në më shumë kampionate radhazi të të paktën një goli (katër kampionate). Ajo që mungonte më së shumti ishin kartonët e kuq, pasi deri më tani janë dhënë vetëm dy të tillë në 36 sfidat e grupeve: Lorik Cana i Shqipërisë dhe Alexander Dragoviq i Austrisë

Shkëlqimi i Payet Lojtari më i shtrenjtë në historinë e afatit kalimtar, me një vlerë mbi 100 milionë euro, tregoi më së miri vlerat e tij për një barrë kaq të rëndë mbi supe në debutimin e kombëtares së tij në një Evropian, e ky është Gareth Bale i Uellsit, i cili shënoi në të tria sfidat në grupe, duke lënë në hije edhe shokun e tij të skuadrës, Cristiano Ronaldo me Portugalinë. Por, Uellsi nuk u mbështet vetëm te golat e Bale, pasi ky i fundit shënoi vetëm gjysmën e golave të kombëtares. Lojtari tjetër që la shenjë në këtë fazë ishte Dimitri Payet, një mesfushor sulmues që nuk ishte në planet e Didier Deschamps për të qenë titullar te Franca përpara se të niste turneu, por që tani duket i pazëvendësueshëm. Ai u siguroi "Gjelave" apo "Les Bleus" fitoret në dy sfidat e para: me Rumaninë dhe me Shqipërinë, i pashqetësuar fare nga presioni për të performuar sa më mirë përpara publikut të vendit organizator. Zlatan Ibrahimoviq, mbi të gjithë, la shumë pak përshtypje të mira në turneun e tij të fundit me Suedinë, teksa dështoi të shënonte qoftë edhe një gol të vetëm për kombëtaren e tij, e cila u diskualifikua që në fazën e grupeve. Kjo do të thotë që sulmuesi shtatlartë i dha fund karrierës me kombëtaren pa ndonjë lavdi të veçantë dhe pa një trofe. Por, në këtë aspekt, Ibrahimoviq nuk ka qenë i vetëm. Mario Manxhukiq i Kroacisë, Robert Lewandowski i Polonisë dhe Harry Kane i Anglisë i bëjnë shoqëri suedezit, vetëm se për pak kohë pasi këta të fundit kanë ende mundësi të lënë ndonjë shenjë në ndeshjet e 1/8-ave.

Tifozët Siguria e Evropianit ishte përforcuar jashtëzakonisht për "Euro 2016", edhe për shkak të sulmeve vdekjeprurëse të ekstremistëve në Paris gjatë nëntorit të vitit të kaluar. Por, sfidat për policinë gjatë këtij turneu nuk kanë sosur gjithsesi, pasi atyre u është dashur të përballen me huliganizmin, siç njihet fusha e tifozëve të rrëmujshëm dhe të dhunshëm mbi të gjitha. Marseja pa trazirat më të rënda nga të gjitha qytetet e tjera organizatore të Evropianit. Gjithçka nisi me përplasjet mes tifozëve të Rusisë dhe Anglisë në Marsejë në ditët e para të turneut, por ditët e fundit gazi lotsjellës dhe pompat e ujit janë përdorur edhe në shpërndarjen e tifozëve të Polonisë, në qytetin bregdetar jugor. Sa i përket atyre që lanë kujtime të bukura, nuk mund të bënin përjashtim edhe tifozët e Shqipërisë, të shumtë në numër në të tria qytetet e stadiumet ku u zhvilluan ndeshjet e kuqezinjve.

(Kosova Sot)