Skela: Kjo Kombëtare, më e mira në histori

  • 26 June 2016 - 09:35
Skela: Kjo Kombëtare, më e mira në histori

Njëri nga futbollistët më të vlerësuar në Kombëtaren shqiptare dhe njëherësh ish-kapiteni i saj, Ervin Skela, është treguar kritik ndaj ceremonisë së pritjes së përfaqësueses kuqezi pas Kampionatit Evropian. Sipas tij, fillimisht lojtarët dhe stafi duhej të kishin festuar me tifozët, pasi ata janë të parët. Skela i ka konsideruar të ekzagjeruara takimet e shumta të lojtarëve nëpër institucionet shtetërore, derisa ka folur edhe për skemat e trajnerit Gianni De Biasi. "Përpara Evropianit nuk e kishim menduar se do të bënim një paraqitje kaq të mirë në këto tri ndeshje. Menduam se De Biasi do të vendoste në fushë atë ekipin me një mbrojtje të dendur, në një kohë që nuk dinim se si do të shkonim te porta kundërshtare, pasi nuk kemi lojtarë që mbajnë shumë topin. Por, nga ndeshja në ndeshje erdhëm duke u ngritur. Në ndeshjen e parë na ndëshkoi pak kartoni i kuq i Canës, ndërsa në sfidën e dytë eksperienca dhe forca nuk na lanë që të merrnim një pikë. Ndërsa në takimin e tretë lojtarët treguan që janë shumë profesionistë, edhe trajneri gjithashtu. Në fund shikohen rezultatet. Kjo është Kombëtarja më e mirë në histori, si edhe trajneri më i mirë në histori", ka thënë Ervin Skela.

Festa ishte e ekzagjeruar I pyetur në lidhje me festimet dhe ceremoninë e pritjes së Kombëtares, Skela ka pasur kritika duke e quajtur edhe të ekzagjeruar. "Tifozët duhet të jenë në radhë të parë dhe të festohet me ta. Me tifozët në Francë, treguam se jemi një popull që e do paqen dhe kënaqësinë. Kanë investuar shumë për të shkuar aty duke harxhuar ditë të tëra dhe financa", është shprehur ish-kapiteni kuqezi. Më pas, Skela i ka bërë edhe një analizë asaj çfarë pritet në eliminatoret e ardhshme dhe lojës së trajnerit italian Gianni De Biasi. "De Biasi dhe Tramexanni që shkojnë nëpër Evropë ku shohin lojtarët, nuk i zgjedhin ata me synimin për të fuqizuar mesfushën që të kontrollojë topin, por si të mbrojnë sa më shumë. Nuk mendoj se në vazhdim ne do të luajmë me dy sulmues apo të krijojmë identitet siç e ka Spanja. Sigurisht, nuk mund të bëjmë 800 pasime, por të bëjmë 400 dhe të shtyjmë përpara. Mendoj se edhe në grupin e ardhshëm eliminator, De Biasi me të njëjtën mënyrë loje do të luajë. Nuk është stol i bukur loje, ashtu siç edhe Italia nuk është e bukur për t'u parë, por kur ke rezultate, të gjitha të tjerat mbulohen", ka përfunduar De Biasi.

(Kosova Sot)