Koha e revanshit

  • 26 June 2016 - 09:37
Koha e revanshit

Përballje mjaft interesante do të zhvillohen të dielën në 1/8 e finaleve të Kampionatit Evropian. Franca, nikoqire e këtij Evropiani, do të ndeshet me Irlandën, derisa Gjermania do të takohet me Sllovakinë. Hungaria që befasoi të gjithë duke u kualifikuar tutje do të përballet me Portugalinë. Ka vend për revansh, apo për hakmarrje. Me siguri që përballja Francë-Irlandë është e veçantë dhe nuk mund të lërë indiferentë as francezët, e aq më pak irlandezët, që kujtojnë atë eliminim në "Playoff"-in e Botërorit të 2010 me një gol të Willian Gallas, në një aksion ku ishte vërtet sensacionale prekja e topit me dorë nga Thiery Henry. Në stolin e të gjelbërve atë kohë ishte Giovanni Trapatoni dhe ai episod u kthye në një çështje diplomatike me irlandezët që bënë një kërkesë formale për riluajtjen e ndeshjes që më pas u refuzua.

Mallkimi i Irlandës Edhe gazetat franceze flasin për një llogari të mbetur pezull, për shkak të atij goli të pavlefshëm, që i garantoi Francës në shtesë kualifikimin duke lënë jashtë Botërorit Irlandën. Gjithçka u pa nga miliona spektatorë, por jo nga gjyqtari dhe polemika ishte e garantuar, me Federatën Irlandeze që kërkoi përsëritjen e ndeshjes, FIFA tha jo, e madje sipas "L'Equipe" u pagoi dhe katër milionë euro irlandezëve për të mbyllur çështjen. Më pas Franca në Botëror doli jashtë që në grupe e eliminuar në fushë dhe e poshtëruar jashtë saj nga gjithë skuadra që bëri grevë gjatë Botërorit duke u solidarizuar me Nicolas Anelka që u largua nga grumbullimi pasi kishte fyer trajnerin Domenech. Ndoshta ishte pikërisht ai rast që shpërtheu polemikat e pafundme me sfond etnik e social në Francë, ndërsa tani Irlanda pa dyshim që ëndërron hakmarrjen. Ndihmëstrajneri i Irlandës, Roy Keane, mendon se duhet të luajnë me kundërsulme."Lojtarët që kanë luajtur në ndeshjen e fundit janë përshtatur shumë mirë sistemit. Do të jetë një ndeshje e rrezikshme nëse mendojmë të luajmë me presion. Do të qëndrojmë në mbrojtje dhe do të tentojmë në kundërsulme. Tifozët na kanë dhënë përkrahje të madhe. Franca ndoshta është më e përgatitur se Italia dhe kanë pasur disa ditë pushim. Por, ne do të japim më të mirën tonë", deklaroi Keane. N'Golo Kante ka qenë njëri ndër futbollistët kryesorë të Francës në këtë Evropian. Ai pushoi ndaj Zvicrës pasi mori karton të verdhë ndaj Shqipërisë."Unë nuk jam lojtar me fat. Kam fituar çdo ndeshje me Francën deri më tani dhe shpresoj të vazhdoj kështu, po gara është shumë e fortë dhe asnjëherë nuk e dinë çfarë ndodh", theksoi futbollisti i Leicester City-t. 

Gjermanët favoritë përballë sllovakëve Gjermania nuk ka shkëlqyer si më parë, megjithatë gjermanët nuk kanë harruar lojën e vjetër, me disiplinë të jashtëzakonshme. Tre gola shënuan në ndeshjet e fazës së grupeve, duke siguruar vendin e parë. Në ndeshjen e fundit mposhtën Irlandën e Veriut 1:0, me golin e Mario Gomez-it. Ky i fundit shpreson që të jetë lider i tyre edhe në fazën e eliminimit direkt. "Më në fund jam në formën më të mirë dhe jam i aftë t'i përfundojë ato raste me sukses. Është ndjenjë shumë e mirë kur pas një pune të madhe vjen goli, por edhe një herë ju them se asnjëherë nuk mendoj për 'Këpucën e artë', unë vetëm dua të fitojmë Kampionatin Evropian. Kjo është e rëndësishme për mua", u shpreh Gomez. Derisa Gomez realizoi golin e parë, Thomas Muller po kritikohet për shkak se ende nuk ka shënuar dhe ka humbur shumë raste. Te Gjermania, Jerome Boateng po lufton me kohën që të jetë i gatshëm për këtë ndeshje. Nëse ai nuk luan, atëherë nga fillimi do të jetë Shkodran Mustafi, i cili realizoi ndaj Ukrainës. Vladimir Weiss ka thënë se gjermanët janë favoritë, por angazhimi i tyre nuk do të mungojë. "Gjermania ka shumë cilësi dhe do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne kemi luajtur shumë mirë kohët e fundit. Ne besojmë në vete dhe shpirti i ekipit është shumë i madh. Ne jemi të gatshëm të japim gjithçka", nënvizoi ai. 

Belgjika në presion Trajneri i Belgjikës, Marc Wilmots, ka insistuar se më me dëshirë do të ndeshej me Anglinë dhe Spanjën sesa me Hungarinë. Ai thotë se ekipi i tij tani është në presion."Me dëshirë do të luajë ndaj Anglisë ose Spanjës se ndaj Hungarisë. Nuk do të kishim çfarë të humbasim. Presioni është tani tek ne. A nuk e keni parë si kanë luajtur ndaj Portugalisë. Nuk ka skuadra të vogla në futbollin ndërkombëtar. Çdo ndeshje është e vështirë dhe është si finale. Mënyra e vetme për të fituar është të luajmë lojë kolektive", deklaroi Wilmots. Belgjika pas humbjes nga Italia, mposhtën Irlandën dhe Suedinë për t'u kualifikuar tutje. Hungaria arriti sukses historik duke u kualifikuar tutje, edhe pse ishin njëra nga Kombëtaret autsajdere. Ata arritën të mposhtin Austrinë në takimin e parë, pastaj barazuan me Islandën dhe në fund barazuan 3:3 me Hungarinë. Trajneri i Hungarisë, Bernd Storck, tha se ishte vështirë ndaj Portugalisë, megjithatë, ata nuk frikësohen asnjëherë. "Ishte e vështirë ta ndalej Ronaldo. Ai është një lojtar i rrezikshëm. Ne kemi befasuar të gjithë në këtë Evropian dhe pak kush ka pritur që ne të kualifikohemi tutje. Tash ndeshjet janë edhe më të vështira, por ne jemi të përgatitur. Nuk kemi presion dhe çdo sukses i mirëseardhur", theksoi Storck.

(Kosova Sot)