Ancelotti favorizon Italinë përballë Spanjës

  • 26 June 2016 - 09:39
Ancelotti favorizon Italinë përballë Spanjës

T rajneri italian, Carlo Anceotti, i jep shanse të mira Italisë përballë Spanjës në 1/8 e Euro 2016. Strategu italian nuk e sheh aq të fortë "La Rojan" si katër vite më parë, madje mendon se të kaltrit mund të përfitojnë nga mungesa e agresivitetit dhe variacionit në lojën e spanjollëve. "E kam thënë edhe më parë se Italia e ka të vështirë me Spanjën. Skuadra e Conte-s do të luajë në mbrojtje dhe të të kërkojë të mbyllë hapësirat ndërmjet reparteve.

Është e qartë se Italia nuk ka lojtarë për të synuar zotërimin e topit. Spanja nuk mund të ndryshojë stilin e lojës, ata luajnë njësojë, qarkullojnë topin me pasime të shumta. Provuan diçka ndryshe në takimet e fundit me pasime të drejtpërdrejta për Moratan, i cili për mendimin tim krahasohet me Robert Lewandowskin, një sulmues që krijon probleme në zonë", ka thënë Ancelotti. Më tej trajneri i Bayern Munich-ut tregon edhe pikat e dobëta të skuadrës së Del Bosques."Spanja do të kontrollojë mesfushën, kjo është e qartë. Iniesta dhe Busquets e kanë bërë këtë prej shumë vitesh. Mirëpo, kam vënë re se si skuadër spanjollët nuk janë shumë agresivë. Ata e kanë humbur fuqinë për të rikuperuar topin. Ndoshta Italia duhet ta shfrytëzojë këtë detaj dhe ta kthejë në avantazhin e saj", përfundoi strategu Italian. Fituesi i çiftit Itali - Spanjë do të përballet në çerekfinale me të kualifikuarën e takimit Gjermani - Sllovaki.

(Kosova Sot)