“Nëse ndalim këtë lojtar të Spanjës, mund t’ia dalim”

  • 26 June 2016 - 22:40
“Nëse ndalim këtë lojtar të Spanjës, mund t’ia dalim”

Marco Parolo beson se skuadra është në gjendje të mirë fizike dhe se nëse arrin ta ndalin Iniestan, mund t’ia dalin ndaj Spanjës

Rriten temperaturat në prag të duelit të nxehtë mes Italisë dhe Spanjës që do të zhvillohet këtë të hënë në orën 18:00.

Në kampin e kombëtares së kaltër ende djeg ajo humbje e thellë me rezultatin 4:0 e pësuar në finalen e Europianit të vitit 2012’të që u zhvillua në Kiev.

Gjithsesi, Marco Parolo një prej futbollistëve më të rëndësishëm, të përfaqësueses italiane mendon se këtë herë situata ndryshon nga 4 vite më parë dhe Italia e ka potencialin, për ta eliminuar nga Europiani Spanjën.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne po përgatitemi mirë dhe do të nxjerrim gjithë zjarrin që kemi brenda për të fituar ndaj Spanjës. Duam të luajmë me entuziazëm kundër tyre. Kemi pasur një ecuri të mirë deri tani në Europian dhe unë jam i bindur se nëse luajmë me përulësi, përkushtim dhe sakrificë, mund të t’ia dalim. Duhet medoemos të zbatojë të gjitha këshillat që do të na japë trajneri”, ka thënë Parolo.

“Iniesta është një lojtar i mrekullueshëm. Ai është një prej idhujve të mi sepse kur unë nisa të spikatja në futboll, Andres kishte vite që luante në nivelet më të larta. Një futbollist të tillë mund ta ndalim vetëm nëse luajmë si skuadër”, shtoi Parolo.

(Kosova Sot)