Italia, leksion kampionit të Evropës

  • 28 June 2016 - 09:00
Italia, leksion kampionit të Evropës

Islanda ka shkaktuar befasinë më të madhe në Evropian.

Italia ka zhvilluar një ndeshje në stilin e kamponit të botës, duke e dominuar plotësisht kamponin aktual të Evropës, Spanjën. Italianët triumfuan jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë, ndaj spanjollëve që ketë herë nuk ishin në nivelin e tyre .

22 vjet vuajtje për të marrë një fitore zyrtare ndaj "Furisë së kuqe". Kjo është Italia, e cila mbrëmë ka arritur të marrë fitoren e parë në një ndeshje zyrtare pas 22 vjetësh kundër Kombëtares së Spanjës. Lojtarët e Antonio Conte-s janë hakmarrë për finalen e katër viteve më parë dhe kanë eliminuar kampionët e Evropës në fuqi, duke i mposhtur me rezultat 2:0. Nuk e ka bërë këtë vetëm në rezultat, por edhe në lojë dhe kjo është fitorja më e madhe për një kombëtare si ajo "axurre", që askush nuk mendonte se mund të kishte një rrugë të gjatë në kompeticionin francez. Italia në kryeqytetin francez, në Paris, e ka siguruar çerekfinalen me plot meritë dhe se pas kësaj i pret një tjetër supersfidë, ajo me Gjermaninë. "Axurrët" i dhanë leksion futbolli Spanjës, duke e shkurorëzuar me një sukses të pastër. Katër herë kampionët e botës imponuan lojën e tyre dhe futën në kurth trurin e kombëtares 'La Roja', Andres Iniesta, duke bllokuar pothuajse çdo hapësirë. Me mungesën e vetme, Antonio Candrevan, Conte vendosi të hidhte në fushë që nga minuta e parë Alessandro Florenzin dhe kjo zgjedhje e shpërbleu, pasi mesfushori romanist në krahun e djathtë, ashtu si De Sciglio në të majtën, arritën të zhvillonin një ndeshje të paharrueshme."Unë jam i lumtur për të gjithë lojtarët. Ka më shumë se një muaj që ne kemi punuar si taktikisht, teknikisht dhe mendërisht. Spanja është një nga ekipet më të mira në botë. Ata kanë lojtarë të një niveli shumë të lartë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Ne tani do të përballemi me ekipin më të mirë në Kampionatin Evropian, Gjermaninë. Do të jetë një ndeshje shumë, shumë e vështirë në të gjitha aspektet. 

 Duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë", ka thënë Antonio Conte. Italia e jashtëzakonshme Kur të gjithë prisnin skenarin e zakonshëm me Spanjën në zotërim të ndeshjes, ishte Italia që shtangu iberikët me disa aksione të rrezikshme që në minutat e para. Gjatë 15 minutave të para, De Gea bëri mrekullinë ndaj Pelle, por dalëngadalë Spanja e rriti ritmin, edhe pse në të 25-ën ishte Parolo që pati një mundësi të artë me kokë. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 33-të, pas një pakujdesie te kapitenit spanjoll, Sergio Ramos, që bëri një ndërhyrje jo të vëmendshme afër zonës për të shkaktuar faull. Ishte Eder ai që ekzekutoi goditjen e dënimit dhe Chiellini i vetëm në zonë e shtyu topin në rrjetë. Spanja e shuar në fushën e lojës u përplas në vazhdimësi me murin italian, ndërsa në krahun tjetër Giaccherini ishte shumë pranë golit të dytë, me një goditje të rrezikshme që u devijua nga De Gea. Vendosi Pelle Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë ish-sulmuesi i Juventus-it, Alvaro Morata, ka pasur një rast të pastër për të barazuar, por goditja e tij me kokë ka qenë e lehtë dhe ka përfunduar në duart e Buffon. Sulmet e Spanjës janë rritur ndjeshëm në minutat në vazhdim, por ka qenë përsëri Italia që ka shkuar afër golit dhe ka qenë përsëri De Gea ai që ka shpëtuar Spanjën. Një kundërsulm i shpejtë i "Axurrëve" në minutën e 55-të ka nxjerrë Eder të vetëm përballë De Gea-s, i cili ka arritur të ndalë goditjen e sulmuesit të Inter-it.

Ritmi i italianëve ka rënë me kalimin e minutave dhe në të 76-ën ka ardhur radha e Iniesta-s për të kërcënuar Buffon me një goditje të fortë nga jashtë zone. Fatmirësisht për numrin 1 të Italisë kjo goditje ka qenë qendrore. Një minutë më vonë legjenda e portës "axurre" ka bërë një pritje të bukur ndaj gjuajtjes së Gerard Pique. Italia nuk e uli përqendrimin, madje gjeti forcë për të shënuar edhe golin e dytë me Pelle, që ashtu si ndaj Belgjikës, ndezi festën e të kaltërve. Mesfushori i Spanjës, Andres Iniesta, ka thënë se Italia ka qenë më efektive në momente të caktuara dhe fitoi me meritë."Është një zhgënjim që duhet ta pranojmë. Ata kanë qenë më efektivë në momente të caktuara të ndeshjes", ka thënë Iniesta pas ndeshjes. Islanda eliminoi Anglinë Islanda ka shkaktuar befasinë më të madhe në këtë Evropian, pasi, përveçqë është kualifikuar në çerekfinale, ajo arriti ta eliminojë njërën nga pretendentet për të triumfuar në Evropian Anglinë. Islanda ka triumfuar me rezultat 2:1 dhe në çerekfinale do të ndeshet me Francën.

Anglezët e nisën shumë më mirë takimin, duke shënuan që në fillim, por islandezët ia dolën të bëjnë përmbysjen, duke shënuar dy gola që ishin gola për triumfin e madh. Wayne Rooney e dërgoi Anglinë në epërsi kur shënoi nga penalltia në minutën e 3-të dhe këtu u besua se Anglia do ta ketë shumë lehtë ndaj Islandës, ashtu edhe siç ishte parashikuar. Megjithatë, Islanda edhe një herë dëshmoi se futbolli është i paparashikuar dhe se askush asgjë të sigurt nuk ka. Dy minuta pasi që shënuan anglezët, Ragner Sigurdsson arriti ta barazojë rezultatin në 1:1. Ndërsa golin e epërsisë për Islandën e shënoi Kolbeinn Sigthorsson në minutën e 19-të, gol ky që doli të vendosë "fundosjen" e Anglisë dhe kualifikimin e Islandës në çerekfinale, për të cilën kjo është çerekfinalja e parë, pasi të kujtojmë se Islanda asnjëherë jo që ishte në këtë pozitë, por as që kishte marrë pjesë më herët në një Kampionat Evropian.

(Kosova Sot)