Ajeti: Nuk kërkova zëvendësim

  • 28 June 2016 - 09:03
Ajeti: Nuk kërkova zëvendësim

Kanë kaluar dy javë nga ndeshja Shqipëri - Francë e humbur nga kuqezinjtë në minutat e fundit të saj, derisa edhe sot vazhdon të debatohet momenti i zëvendësimit të mbrojtësit Arlind Ajeti me Frederik Veselin, pasi pikërisht ky veprim edhe ndikoi në humbjen e ndeshjes. Protagonisti i kësaj ngjarjeje, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, pretendon se është keqkuptuar kur ka shpjeguar momentin e zëvendësimit të tij në ndeshjen ndaj Francës. Futbollisti, i cili është duke i kaluar pushimet në Kosovë, ka deklaruar se nuk ka kërkuar zëvendësim në përballje ndaj Francës. Largimi i tij për t'ia liruar vendin Frederik Veselit, ishte gabimi më i madh i trajnerit italian, Gianni De Biasi, pasi pikërisht ky vendim ndikoi që francezët të shënojnë gol, duke e shfrytëzuar një hapësirë të lënë bosh nga Veseli, i cili nuk ishte i vendosur si duhet. "Nuk kam kërkuar zëvendësimin dhe përkundrejt vendimit të De Biasi-t, isha i gatshëm ta çoj ndeshjen deri në fund. Mendoj se ishte një gabim, pasi në këso ndeshje të tilla çfarë ishte me Francën, më së vështiri është të adaptohet në lojë një qendërmbrojtës", ka thënë Ajeti, i cili ditë më parë nga mediet në Shqipëri ishte shkruar se vetë ka kërkuar zëvendësim, por duket se kjo nuk ka qenë e vërtetë. 

De Biasi: U detyrova ta zëvendësoja Pa dyshimi largimi i Arlind Ajetit në ata minutat e fundit të ndeshjes kundër Francës hapi shumë debate dhe u interpretua gjerësisht si i kushtëzuar nga një problem fizik i mbrojtësit, pavarësisht asaj që tash Ajeti e thotë të kundërtën. Ishte përzgjedhësi Gianni De Biasi që tha se ishte i detyruar ta bëjë këtë veprim. "U detyrova të nxjerr Ajetin dhe nuk munda të bëja një zëvendësim në sulm", ishte justifikimi që përdori De Biasi pas asaj sfide. Sido që të jetë Arlind Ajeti mbetet njëri nga futbollistët me paraqitjen më të mirë në radhët e Shqipërisë, gjatë Kampionatit Evropian "Franca 2016". Kjo edhe është arsyeja që shumë klube të njohura janë të interesuara për shërbimet e tij dhe mbetet të pritet afati kalimtar i verës për të parë se ku do të angazhohet ky lojtar tejet cilësor.

(Kosova Sot)