Prishtina e re, me synime të mëdha

  • 28 June 2016 - 09:05
Prishtina e re, me synime të mëdha

Skuadra më e trofeshme në vend, Prishtina, i ka nisur dje përgatitjet për edicionin e ri në futboll, i cili pritet të jetë njëri nga kampionatet me joshëse, pasi do të zhvillohet nën ombrellën e UEFA-s dhe FIFA-s. Një Prishtinë që dukej e re bazuar në emra, por jo edhe në moshë, pasi në taborin e vet ka sjellë emra të mëdhenj dhe me përvojë. Armend Dallku e Debatik Curri, dy përforcimet më të mëdha të Prishtinës, kanë zbritur në fushë bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, me synime për t'ia kthyer imazhin skuadrës bardhekaltër, e cila edicionin që sapo lamë pas, pavarë- sisht se e fitoi Kupën e Kosovës, dështoi totalisht në kampionat, duke bërë që deri në fundin e tij të luftojë për ekzistencë. Se çfarë Prishtine do ta shohim këtë herë mbetet të shihet, por premtimet janë të mëdha. Prishtina këtë vit kishte mundësinë të luajë në Ligën e Evropës, si fituese e Kupës, por për shkak të mosplotësimit të kritereve u refuzua nga UEFA, me shpresë se telashe të tilla nuk do të ketë edhe vitin e ardhshëm.

Kryesia me premtime të mëdha Futbolli ynë pas një periudhe të gjatë i dha fund izolimit ndërkombëtar, duke u pranuar përfundimisht me të drejta të plota në UEFA e FIFA. Kjo edhe e ka shtuar entuziazmin te skuadrat kosovare, të cilat sivjet po përgatiten shumë për të pasur sukses, pasi e dinë sigurt që dalin në Evropë. Kjo ka ndikuar edhe te Prishtina, e cila ka bërë shumë investime në futbollistë dhe atë vetëm me një qëllim, të fitojë trofe dhe te dalë në Evropë."Po fillojmë një Prishtinë të re. Tani ka ardhur rasti, që më mundi mos t'ju shkojë huq. Jemi të pranuar dhe tani duam që të përfaqësohemi sa më denjësisht.

Dua të luftoni një për të gjithë dhe të gjithë për një. Dua t'ju shoh të bashkuar dhe në fund të edicionit së bashku të marrim pjesë në garat ndërkombëtare", ka thënë para futbollistëve kryetari i bordit të Prishtinës, Remzi Ejupi, të cilëve iu ka dëshiruar suksese në një edicion të mbarë. I pranishëm në tubimin e parë ishte edhe nënkryetari i klubit, Ahmet Kurtolli, i cili lojtarëve u ka premtuar mbështetje të madhe derisa nga ta ka kërkuar të japin më të mirën për fanellën e klubit. Nisin me Fadil Berishën Te Prishtina ka kohë që flitet për një ndërrim të mundshëm në shtabin teknik, ani pse deri më tash drejtuesit e skuadrës kanë thënë se detyra do t'i besohet Fadil Berishës me të cilin Prishtina e fitoi Kupën e Kosovës, por entuziazmi i madh për të pasur sukses edhe në arenën ndërkombëtare, ka bërë që klubi të mendojë për të sjellë një trajner të huaj. Gjithsesi dje skuadrës i kanë prirë trajnerët, Fadil Berisha, Rabit Ahmetaj dhe Ahmet Beselica, por sa do të zgjasë kjo mbetet të shihet. Ajo që do të jetë problemi më i madh për Prishtinën do të jetë fusha. Stadiumi i Prishtinës tashmë ka nisur të rinovohet dhe do të jetë jashtë përdorimit për 14 muaj çka i bie se Prishtina duhet të gjejë një alternativë edhe për mbajtjen e stërvitjeve edhe për zhvillimin e ndeshjeve.

(Kosova Sot)