Italianët të etur për suksese

  • 29 June 2016 - 08:48
Italianët të etur për suksese

Conte i befasoi të gjithë me taktikën e tij.

Italia mundi Spanjën, duke dëshmuar forcën e saj dhe sa herë është nënvlerësuar gjithmonë ka qenë e rrezikshme. Tashmë, "Azzurrët" në çerekfinale i pret Gjermania, por italianët nuk frikësohen dhe janë të gatshëm për përballjen e së shtunës.

Italia dëshmoi edhe një herë se kur nuk është favorite është gjithmonë e rrezikshme. "Azzurrët" fillimisht befasuan Belgjikën, duke e mposhtur 2:0, derisa në takimin e radhës mundën Suedinë, për të siguruar një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës. Humbja nga Irlanda nuk zbehu dëshirën e madhe të italianëve që të lënë gjurmë në Francë. Pa Marco Verratti-n dhe Claudio Marchisio-n, italianët u nënvlerë- suan në këtë Evropian, derisa në ndeshjen ndaj Spanjës mungoi edhe Antonio Candreva, i cili shkëlqeu në dy ndeshjet e para. Trajneri Antonio Conte kishte përgatitur skuadrën siç është më së miri ndaj kampionëve të Evropës, që ishin favoritë në këtë përballje. Por, Italia arriti të hakmerret ndaj spanjollëve që i kishin mundur në dy Evropianet e kaluara, madje në finale të vitit 2012 me rezultat 4:0."Azzurrët" luajtën një ndeshje perfekte, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. 

I nënvlerësuan në fillim Trajneri i Italisë, Antonio Conte, befasoi të gjithë, duke sulmuar nga minuta e parë ndaj spanjollëve. "Djemtë kanë përbrenda diçka të rëndësishme, e thashë që para ndeshjes janë të jashtëzakonshëm. Tani duhet të përgatitemi pasi luajmë kundër Gjermanisë, një kundërshtar i vështirë. Treguam se Italia nuk është 'katanaço'. Komplimentin më të bukur e bëri Xavi, i cili tha se Italia i kujton gjysma Atletico-n dhe gjysma Barcelona-n. Ndeshja e radhës do të jetë edhe më e vështirë se ndaj Spanjës", u shpreh Conte, duke vazhduar: "Itali-Gjermani drithëruese? Po. Tani të shijojnë fitoren dhe të bëhemi gati për sfidën kundër Gjermanisë: Do të jetë edhe më e vështirë se kjo", tha trajneri italian. Skuadra e Conte-s kishte qenë vlerësuar nga mediet ndërkombëtare ndoshta si më e keqja e Italisë në një turne të madh ndërkombëtar, diçka që Gianluigi Buffon, sikurse thotë edhe vetë trajneri dhe pjesa tjetër e skuadrës nuk e kishin harruar."Nuk është një rrugë e gjatë dhe e tërthortë para nesh, por një garë, të cilën po e përballojmë ashtu si dimë ne të bëjmë. Natyrisht, ka pasur dhe do të ketë jo pak ekipe shumë të vështira në rrugën tonë. Jemi në çerekfinale, por ende nuk mund të them se ky është një Evropian i madh për Italinë", tha numri një i "Të Kaltërve" për "Sky Sport Italia", pas ndeshjes me spanjollët. "Nuk do të harrojmë sesa shumë mendime negative janë thënë për ne para se turneu të fillonte. Na kanë nënvlerë- suar e na kanë nxirë, por kemi dëshmuar se jemi e kundërta. Nga shumë të nënvlerësuar tani jemi mes favoritëve për ta fituar Evropianin, gjë për të cilën jam krenar. Ne kemi bërë një paraqitje të mirë ndaj Spanjës, e cila na ishte kthyer në 'mace të zezë'.Sinqerisht, pas pjesës së parë, 1:0 ishte rezultati më pak që kemi merituar. E dinim se loja mund të ndryshonte pas pushimit. Kjo u provua dhe tentua nga Spanja, por nuk e humbën asnjë moment përqendrimin. Ne nuk u përqendruam vetëm në mbrojtje. Në fakt, kishim disa shanse për ta dyfishuar epërsinë tonë përpara golit të Pelle-s. Pas shumë vitesh humbjeje me Spanjën, e kemi kthyer situatën në favorin tonë. OK, ishte vetëm një fitore në 1/8 finale, por është më mirë se asgjë", theksoi portieri i Juventus-it që edhe një herë shkëlqeu.  

Ia arritën qëllimit Leonardo Bonucci pas ndeshjes u zgjodh lojtari më i mirë. Edhe ai u shpreh se ishin shumë të përgatitur për këtë ndeshje dhe në fund ia arritën qëllimit. "Kundër Spanjës kemi zhvilluar ndeshjen që dëshiruam. Arritëm të jemi të fortë në mbrojtje, por edhe të ushtrojmë presing të vazhdueshëm te zona e tyre. Mendoj se dominuam thuajse në çdo aspekt dhe morëm një fitore të merituar. Ishte një fitore e ëndërruar nga një skuadër që përbëhet prej 23 ëndërrimtarësh. Duam të shkojmë deri në fund të Evropianit", deklaroi Bonucci. Çelësi i suksesit të tyre është puna në grup."Ne nuk kemi shumë talente, por jemi një grup kompakt, i drejtuar nga një trajneri si Conte, që është mjeshtër. Nuk kënaqemi me çerekfinalet. Tani duam të eliminojmë Gjermaninë. Rrugën tonë do ta marrim duke u përqendruar gjithnjë te pengesa e radhës. Sa më tepër të avancojmë, aq më e vështirë bëhet. Por, eliminimi i kampionëve në fuqi të Evropianit pa diskutim që është një tregues force. Asnjëherë nuk realizohen paraqitje apo arritje të tilla në mënyrë rastësore", përfundoi ai deklaratën pas fitores kundër Spanjës

Meritë e trajnerit Eder ia ka adresuar meritat Antonio Conte-s për fitoren 2:0 ndaj Spanjës, pasi trajneri ka krijuar një besim të jashtëzakonshëm te futbollistët. "Ky besim ka filluar më 18 maj, kur kemi filluar stërvitjet për Evropian. Trajneri gjithmonë na bëri të besojmë se në qoftë se do të punojmë si tani, nuk do të kemi probleme gjatë kampionatit", ka thënë sulmuesi i Inter-it për "Sky Sport Italia"."Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje nga goditjet e tyre, pak më shumë se zakonisht dhe unë mendoj se kjo ishte një shfaqje e madhe jona, për një fitore të merituar. Italia flet në fushë dhe kjo është ajo që ne po bëjmë tani", përfundoi Eder. Emanuele Giaccherini ishte futbollisti që vrapoi më së shumti në këtë ndeshje, 13 km, dhe pa dyshim është njëri ndër futbollistët më të dalluar të italianëve në këtë Evropian."Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje me detaje dhe kjo na ka dhënë besim se mund të fitojmë ndaj njërës prej skuadrave më të mira në botë. Kemi humbur shumë raste dhe rezultati ka mundur të jetë më i thellë. Para ndeshjes kam folur me lojtarët, duke iu thënë se duhet të luajmë me zemër. Taktika na ndihmon shumë, por duhet të luajmë me zemër. Ne kemi vuajtur ndaj Spanjës vetëm në fillim të pjesës së dytë. Ata kanë shumë lojtarë cilësorë, por ne kemi pasur shumë raste dhe kemi mundur të sigurojmë fitoren më herët", theksoi mesfushori italian. 

(Kosova Sot)