'Gardiani' i pamposhtur

  • 29 June 2016 - 08:50
'Gardiani' i pamposhtur

Portieri i vetëm i pamposhtur në këtë Kampionat Evropian deri më tani është Manuel Neuer. Ai tregon se ndihmë të madhe i kanë dhënë edhe mbrojtësit, derisa flet se ku duhet të përmirësohet Kombëtarja gjermane .

Njëri nga futbollistët më të merituar që Gjermania u kualifikua në çerekfinale të Kampionatit Evropian është portieri Manuel Neuer. Madje, "Pancerat" janë e vetmja Kombëtare në Evropian që deri më tani nuk ka pësuar asnjë gol. Edhe ai pranon se mbrojtja fiton trofetë."Është thënie me vend. Jemi në rrugën e duhur, por nuk jemi vënë ende në vështirësi serioze. Nuk jemi ndëshkuar asnjëherë deri më tani na ka dhënë më shumë siguri dhe stabilitet për ndeshjet pasardhëse", deklaroi portieri gjerman. Joachim Low, ka bërë disa ndërrime, ku në takimin e fundit Draxler zuri vendin e Mario Goetze-s."Në një turne të gjithë e dimë që duhen të 23 lojtarët. Secili ka rolin dhe rëndësinë e vet. Nuk bëjmë dot vlerësime të njëanshme. Edhe Gotze do të jetë i rëndësishëm", nënvizoi 'gardiani' i Bayern-it. 

"Italianët mposhtën kampionët e Evropës, por jo të botës" Në çerekfinale Gjermania do të ndeshet me Italinë, që eliminoi Spanjën 2:0. Italianët u treguan shumë të rrezikshëm dhe eliminuan njërin nga favoritët kryesor për këtë Evropian."E pamë me shumë vëmendje ndeshjen. Italia u organizua shumë mirë dhe ky ka qenë trendi i këtij Evropiani. Ne nuk kemi luajtur ende ndaj një skuadre që bën lojë të hapur. Jemi mësuar të çajmë mure mbrojtëse dhe për këtë taktikë kemi gjetur stilin e duhur. Italia është e mirëpritur. Nëse mundën kampionët e Evropës, kjo s'ka për të ndodhur me kampionët e botës", ka thënë Neuer duke qeshur. Por, Gjermania edhe pse nuk ka pësuar asnjë gol deri më tani ka vend për përmirësime."Duhet të jemi më luftarakë, natyrisht edhe në mbrojtje. Ne jemi një skuadër që duam të luajmë futboll. Italia ka më pak zotërim topi sesa Spanja dhe Gjermania, por megjithatë përpiqet të bëjë diçka në sulm. Këtu duhet të ndryshojë loja jonë dhe duhet të jemi të gatshëm t'i paralizojmë kundërsulmet dhe goditjet standarde të tyre", përfundoi Manuel Neuer. 

(Kosova Sot)