Islanda në delir

  • 29 June 2016 - 08:55
Islanda në delir

Ndërsa në Angli ka pllakosur zia futbollistike, Islanda është e gjitha në festë. Vendi ishullor me një popullsi prej vetëm 330 mijë banorë bëri historinë, pasi në debutimin absolut të saj në një evropian ajo arriti të kualifikohej në çerekfinale pasi mundi Anglinë 2:1. Trajnerët e kësaj skuadre, Heimir Hallgrimsson dhe Lars Lagerback, nuk i kursyen lëvdatat për futbollistët e tyre, duke shtuar se mund të vazhdojnë të bëjnë befasinë në këtë eveniment. Më e mira nuk ka ardhur ende "Ajo me Anglinë ishte ndoshta ndeshja jonë më e mirë si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues.

Nuk e kishim aspak problem të mbronim lojtarët anglezë, madje krijuam edhe raste të tjera shënimi. Por, më e mira nuk ka ardhur ende. Po e përsëris, nuk e kemi treguar ende çfarë mund të bëjmë, kështu që ndeshja jonë më e mirë është për t'u zhvilluar ende. Nëse përgatitemi mirë dhe nëse lojtarët ruajnë këtë sjellje në fushën e lojës, mund të fitojmë ndaj çdo skuadre", ka theksuar Hallgrimsson. Islanda do të luajë në çerekfinale me Francën të dielën e 3 korrikut dhe djemtë e Didier Deschamps janë paralajmëruar. Islanda, tifozë-skuadër, një ekip i vetëm Zemër dhe pasion.

Tifozëria në një stadium nuk ka njësi matëse numrin e të pranishmëve, por dëshirën dhe dashurinë për të mbështetur skuadrën e zemrës. Islanda, një ishull vullkanik në mes të Atlantikut ndërmjet Grenlandës, Evropës dhe Amerikës nuk ka vetëm një kombëtare të denjë për Evropianin, por ndoshta edhe tifozët më të veçantë. Sektori i ishullorëve dallon qartë, sepse ata jo vetëm që janë të veshur të gjithë me fanellat e kombëtares, por zhurma që bëjnë nëpër stadiume është disa herë më e madhe se ajo e tifozëve kundërshtarë, pavarësisht diferencave të mëdha në numër. Fëmijë, femra, njerëz të moshuar dhe djem të rinj janë një trung i vetëm, ashtu si skuadra e tyre në fushën e lojës. Një simfoni perfekte mes 11 të besuarve në fushë dhe mijëra të tjerëve në shkallët e stadiumeve. Spektakli i islandezëve mori notën 10 edhe në stadiumin e qytetit të Nice, ku ata arritën të shurdhonin edhe anglezët e zhurmshëm. Një sukses që u finalizua me një sinkronizim perfekt mes lojtarëve dhe tifozëve në fushën e lojës. 

(Kosova Sot)