Napoli nuk e lëshon Hysajn

  • 30 June 2016 - 09:01
Napoli nuk e lëshon Hysajn

Rinovimi i kontratës së Elseid Hysajt mbetet prioritet në shtëpinë e Napoli-t. Paraqitja mbresëlënëse gjatë edicionit të kaluar në Serie A, por edhe me Kombëtaren shqiptare në "Euro 2016", e ka kthyer në çështje emergjente blindimin e mbrojtësit të djathtë, pasi janë të shumta skuadrat e mëdha evropiane, që po monitorojnë situatën e 22- vjeçarit.

Hysaj u ble një vit më parë nga Empoli për pesë milionë euro, ndërsa paga e tij vjetore është rreth 600 mijë euro. Aktualisht vlera e kartonit të futbollistit kuqezi shkon rreth 20 milionë euro. Napoli është i detyruar t'ia rishikojë pagën, pasi ai është lojtari me formën më të lartë në skuadër. Është e pakuptueshme që Hysaj të përfitojë të njëjtën shumë, ndërkohë që i është pesë- fishuar vlera e kartonit. Presidenti Aurelio De Laurentiis nuk dëshiron të marrë në konsideratë asnjë ofertë për Hysajn, pasi synimi i tij është t'ia rinovojë kontratën deri në vitin 2021, sigurisht me përmirësim të dukshëm të pagës.

Drejtuesit e Napoli-t me këtë strategji synojnë të blindojnë shqiptarin, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga kartoni i tij ndoshta pasi të ketë fituar edhe një vit përvojë në Serie A. E njëjta strategji do të ndiqet edhe me sulmuesin e Kombëtares italiane, Lorenzo Insigne, të cilit gjithashtu do t'i ofrohet rinovimi i kontratës deri në vitin 2021, me rritje të ndjeshme të pagës.

(Kosova Sot)