Italia me mungesa, Conte studion alternativat

  • 30 June 2016 - 09:09
Italia me mungesa, Conte  studion alternativat

Pavarësisht mungesave, trajneri i të kaltërve nuk shqetësohet.

Antonio Conte duhet të bëjë llogaritë me një telashe më shumë. Lëndimet e Claudio Marchisio-s dhe Marco Verratti-t nuk ishin të fundit për trajnerin e kaltër që tashmë mesfushorët në rolin e tërhequr i mungojnë dhe përballë Gjermanisë duhet të përshtatë një lojtar të ri. Do të përpiqet të përshtat grupin Daniele De Rossi i lënduar në sfidën kundër Spanjës nuk do të jetë gati për takimin e së shtunës, ndërsa Thiago Motta do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna e stadiumit të Bordeaux për shkak të kartonëve. "Duhet të përshtat dikë gjatë ditëve të ardhshme", ka deklaruar Conte dhe me shumë mundësi do të jetë Stefano Sturaro, njeriu që do të bëjë rolin e regjisorit në mesfushën e të kaltërve.

Gjithsesi, një alternativë tjetër është edhe Marco Parolo që mund të tërhiqet në prapavijë për të marrë detyra mbrojtëse, duke bërë që Sturaro të shtyhet disi më përpara në të djathtë të mesfushës. Hipoteza e tretë është edhe zhvendosja e Leonardo Bonucci-t përpara mbrojtjes. Mbrojtësi i Juventusit ka karakteristikat e duhura dhe personalitetin e nevojshëm për të bërë një sakrificë të tillë dhe në prapavijë mund të rreshtohet Angelo Ogbonna në vend të tij. Problem i madh në kampin e kaltër mbetet edhe Antonio Candreva, i cili nuk ka marrë pjesë në seancën e fundit stërvitore dhe sipas të gjitha gjasave do të mungojë edhe kundër Gjermanisë.

Gjithsesi, kjo mungesë nuk e shqetëson aspak trajnerin Conte, i cili ka gjetur alternativën Alessandro Florenzi, i cili tregoi se është në lartësinë e duhur, duke ofruar siguri si në fazën mbrojtëse edhe në atë sulmuese në krahun e djathtë. Italia konsiderohet si "macja e zezë" për Gjermaninë, por trajneri Joachim Low nuk i trembet skuadrës së Conte-s dhe për ta ilustruar zgjedh të kujtojë humbjen në gjysmëfinalen e katër viteve më parë: "Humbja kundër Italisë katër vite më parë i shërbeu këtij grupi. Kemi kuptuar gabimet tona dhe dhimbja për atë eliminim me ka ndihmuar që të rritem. Ishte një leksion i shkëlqyer". 

(Kosova Sot)