De Biasi i gatshëm për sfida të reja

  • 01 July 2016 - 09:12
De Biasi i gatshëm për sfida të reja

Shumë oferta në drejtim të përzgjedhësit të Shqipërisë

Në drejtim të Gianni De Biasi-t kanë ardhur shumë oferta. E fundit është nga Rumania. De Biasi ka thënë se është i gatshëm për sfida të reja, duke mos e mohuar mundësinë se mund të drejtojë këtë përfaqësuese

Ka kontratë deri në vitin 2017 me FSHF-në

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka marrë disa oferta pas përfundimit të Kampionatit Evropian. Ai është duke u kërkuar nga disa Përfaqësuese, derisa e fundit është Rumania, që ka qenë kundërshtare e kuqezinjve në Evropian. Është “calciomercato.it” që ka bërë me dije rreth ofertave më të fundit që ka marrë trajneri i Shqipërisë. “Pasi ra si alternativë për të marrë drejtimin e Italisë, emri i tij doli në skenë edhe për të pasuar Hodgson-in. Mirëpo, De Biasi ka në tryezën e tij dy oferta konkrete dhe tri interesime. Pas Ukrainës, edhe Rumania ka bërë ofertë për trajnerin e Shqipërisë. Sipas këtij uebsajti, edhe Turqia e ka si alternativë trajnerin italian, por për momentin ende nuk ka nisur asnjë komunikim zyrtar, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Nuk e refuzon Rumaninë

Në mediet më të mëdha rumune, “Prosport.ro” dhe “Digi Sport” është publikuar intervista me trajnerin e Shqipërisë rreth këtij interesimi.“Deri tani nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare nga federata rumune, por asnjëherë nuk i dihet. Rumania ka një skuadër të mirë dhe njoh disa prej lojtarëve që luajnë në Itali. Unë kam një kontratë dyvjeçare me Shqipërinë, por nuk më pengon. Kam një klauzolë për ta zgjidhur atë nëse më vjen ofertë më e mirë. Rumania ka mundësinë që të kualifikohet për në ‘Rusi 2018’, pasi është ekip me kualitete”, është shprehur italiani, duke vazhduar:“Grupi në të cilin është Shqipëria është shumë i vështirë, ndërsa ai i Rumanisë nuk më tremb aspak. A do të isha i interesuar për të marrë bankinën e Rumanisë? Pse jo... Jam i interesuar për sfida të reja në jetë. Dua një tjetër sfidë edhe në karrierë. Për Federatën Angleze të Futbollit nuk jam një trajner i shtrenjtë, për të tjerat mbase po”, ka deklaruar De Biasi.

(Kosova Sot)