Halimi i bashkohet Mainz-it

  • 01 July 2016 - 09:15
Halimi i bashkohet Mainz-it

Mesfushori i Kosovës kalon në Bundesliga 1

Skuadra e Mainzi-it ka nisur stërvitjet për edicionin e ri dhe e ka prezantuar Besar Halimin së bashku me tri afrime të tjera të kësaj vere, me shpresë se futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës do të arrijë të zërë vend në ekipin e parë

Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Besar Halimi, me hapa të sigurt është duke u ngjitur në karrierën e tij. Ai çdo vit është duke shënuar ngritje dhe së fundmi ka arritur kulmin, duke prekur Bundesligan 1, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Talenti i Kombëtares së Kosovës shkëlqeu dy edicione më parë në Ligën 3 me Stutgarter Kickers, duke u transferuar verën e shkuar për 600 mijë euro te Mainz-i. Megjithatë, klubi i Bundesliga-s vendosi ta huazojë një edicion te FSV Frankfurti, ku Halimi ka treguar sërish vlerat e tij, me 4 gola në 26 ndeshje, edhe pse dëmtimet e kanë shqetësuar jo pak në periudha të ndryshme.

Tani Halimi është kthyer në Mainz dhe nuk do të largohet, pasi klubi i tij do të marrë pjesë në Evropa League këtë vit dhe futbollisti kosovar llogaritet i nevojshëm për ekipin. Dje skuadra e Mainzi-it ka nisur stërvitjet për edicionin e ri dhe e ka prezantuar Halimin së bashku me tri afrime të tjera të kësaj vere, me shpresë se futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës do të arrijë të zërë vend në ekipin e parë, gjë e cila do t’i ndihmonte të ngjitet më shumë në karrierë.

Të kujtojmë se Besar Halimi është futbollist i rregullt në Përfaqësuesen e Kosovës, përzgjedhësi Albert Bunjaki ka kohë që e ka shënjestruar talentin e tij, duke e afruar në ekipin e Kosovës, derisa vetë Halimi ka arritur që besimin e trajnerit ta arsyetojë me paraqitje të mira.

Pa dyshim loja më e mirë e tij ka qenë në miqësoren-vëllazërore që Kosova e zhvilloi me Shqipërinë në Prishtinë, e cila u mbyll me rezultat 2:2. Halimi ishte i pranishëm edhe në sfidën e fundit të Kosovës që e zhvilloi në Gjermani kundër Ishujve Faroe, të cilën e fitoi me rezultat 2:0, dhe njëherësh ishte fitorja  e parë e Kosovës pas pranimit në UEFA e FIFA.

(Kosova Sot)