Mazrekaj përsëri telashe me Partizanin

  • 01 July 2016 - 11:20
Mazrekaj përsëri telashe me Partizanin

Futbollisti prishtinas nuk është paraqitur fare në klubin shqiptar

Derisa skuadra e Partizanit ka nisur garat në Ligën e Evropës, njëri nga futbollistët kyç të saj, Mentor Mazrekaj, fare nuk është paraqitur në stërvitje, duke mos u dhënë asnjë sinjal drejtuesve të klubit, të cilët kanë marrë vendim që ta pezullojnë atë

Prishtinasi cilësohet si futbollisti kryesor i Partizanit

Telashet te skuadra shqiptare, Partizani, nuk kanë fund, derisa edhe njëherë me protagonist ish-futbollistin e Prishtinës, Mentor Mazrekajn. Pas largimit të Xhevahir Sukajt, një tjetër futbollist i rëndësishëm i të kuqve është shumë pranë divorcit me kryeqytetasit. Bëhet fjalë për Mentor Mazrekajn, i cili që nga muaji mars i mungon skuadrës së kuqe, për shkak të një operimi. Gjatë gjithë kësaj periudhe, mesfushori kryeqytetas ka qenë në fazë rikuperimi në Prishtinë, por në shfaqjen e fundit në kryeqytet, që ishte në ndeshjen ndaj Teutës, e cila mbylli kampionatin e shkuar, lojtari u duk jashtë forme, madje kishte filluar të vinte edhe bark. Por, kur pritej që ai të niste fazën përgatitore me pjesën tjetër të ekipit, nuk është dukur dhe klubi s’ka folur në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë që, gjatë ditës së djeshme, është përhapur lajmi se ai ka ikur përfundimisht nga skuadra dhe ndoshta mund të mos jetë pjesë e saj në sezonin e ri, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Pezullohet nga presidenti

Drejtues të klubit të kuq kanë konfirmuar dje se Mazrekaj nuk është larguar përfundimisht nga ekipi, por ndaj tij është marrë një masë. Ai është pezulluar nga presidenti Demi, pasi stafi teknik i ka bërë me dije se lojtari nuk po bashkohej me ekipin dhe forma e tij fizike ishte jashtë parametrave të pritshëm. Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga numri një i të kuqve, që mësohet të ketë pasur edhe një bisedë me lojtarin. Nuk duhet të harrojmë se Mazrekaj është një nga lojtarët e preferuar të presidentit. Gjithsesi, ende nuk ka një datë fikse se kur lojtari mund të rikthehet sërish në skuadër, por gjithashtu nuk dihet, nëse Mazrekaj po zhvillon aktualisht seancat e rikuperimit në Prishtinë. Situata rreth lojtarit vazhdon të jetë e paqartë, ndërsa klubi i kuq nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar për mediet. Të kujtojmë se Mentor Mazrekaj, që kaloji nga Prishtina te Partizani shfaqi cilësi të larta, dhe se me të drejtë fitoi epitetin e njërit nga lojtarët kryesorë në ekip, por duket se disiplina e tij nuk është në nivelin e kënaqshëm, gjë e cila ka shfaqur jo pak probleme në klubin shqiptar.  

(Kosova Sot)