Krasniqi, i gatshëm për meçin e 15 korrikut

  • 02 July 2016 - 09:18
Krasniqi, i gatshëm për meçin e 15 korrikut

Boksi kuqezi zbarkon sërish në arenën prestigjioze të ringut ndërkombëtar. Haxhi Krasniqi sfidon në datën 15 korrik në qytetin gjerman të Saarbrucken rivalin Jurgen Doberstein për titujt, WBA Inter-Continental dhe WBO Inter-Continental në kategorinë super të mesme, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

26-vjeçari gjerman që aktualisht renditet në vendin e 12-të të klasifikimit botëror të federatës WBA ka lindur pikërisht në qytezën Saarbrucken, ku do të zhvillohet një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së boksierit të njohur shqiptar.

Sipas organizatorëve, pjesa më e madhe e biletave për këtë sfidë janë shitur dhe pritet që në Pallatin e Sportit “Saarlandhalle” të ketë një prani të madhe edhe të mbështetësve shqiptarë. Ky do të jetë dueli i 50-të në karrierën e Haxhi Robin Krasniqit, pasi ai sfidon një boksier që konsiderohet si një ndër më të mirët e botës.

Boksieri i lindur në Junik numëron 45 fitore dhe vetëm katër humbje në karrierën e tij, ndërsa rreth gjashtë muaj më parë në Berlin zhvilloi ndeshjen e fundit ku mundi turkun Emis. Në krahun tjetër, Doberstein numëron 23 përballje në ringun profesionist me vetëm dy humbje. 

(Kosova Sot)