Dështojnë klubet shqiptare

  • 02 July 2016 - 09:25
Dështojnë klubet shqiptare

Rezultatet e ndeshjeve të para nuk i favorizojnë ato

Kukësi, Partizani dhe Teuta nuk arritën të fitonin asnjëra në sfidat e para të Europa League, pavarësisht se luajtën në shtëpi. Kjo bën që shanset e tyre të jenë minimale për të ecur tutje

Dy barazime dhe 1 humbje ishte bilanci i skuadrave shqiptare në raundin e parë eliminator të Europa League, me Kukësin, Partizanin dhe Teutën, që nuk arritën të fitonin asnjëra në sfidat e para pavarësisht se luajtën në “shtëpi”. Këto rezultate nuk është se kanë mbyllur gjithçka sa u përket ndeshjeve të kthimit, por që gjithsesi kanë minimizuar shanset e tyre për kualifikimin. Nga rezultatet Partizani duket sikur është ekipi që ka më shumë mundësi, pasojë dhe e faktit se nuk pësoi gol, duke barazuar 0-0, megjithatë të kuqtë mund të kishin fituar ndeshjen e tyre, pasi në pjesën e dytë shpërdoruan disa raste të mira përballë sllovakëve, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Slovan megjithatë është një skuadër me përvojë në këto kompeticione dhe për të kuqtë detyra për të bërë minimalisht një barazim me gola në Bratislavë nuk do të jetë e thjeshtë, por as e pamundur.  Situatë pothuajse e ngjashme dhe për Kukësin, që në letër të paktën kishte kundërshtarin më të lehtë. Kukësi dhe në edicion e kaluar tregoi se mund të përmbysë rezultate në transfertë dhe e njëjta gjë mund të ndodhë dhe me malazezët e Rudarit, problem mund të rezultojë fakti që do të luhet në Nikshiq, një qytet shumë nacionalist.

Gjithsesi në transfertë Kukësi, këtë herë do të ketë dhe praninë e tifozëve, mungesa e të cilëve e penalizoi në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, ku skuadra në momente të caktuara kishte nevojë për shtytjen e tyre. Teuta ka situatën më të komplikuar, pasi jo vetëm përballet me një skuadër shumë të mirë, si Kairat Almaty, por që ka dhe individualitete të jashtëzakonshme si Tymoschuk dhe Arshavin që vendosi dhe ndeshjen e parë. Ekipi i Ahmatajt, megjithatë duke qenë se përbëhet nga lojtarë të rinj mund të ketë në favor mungesën e presionit të rezultatit dhe kjo shpesh herë mund të rezultojë çliruese sidomos në një ndeshje kompetitive.

(Kosova Sot)